Studime të gjuhës serbe, pas dy dekadash në Prishtinë

Studime të gjuhës serbe, pas dy dekadash në Prishtinë

Aktuale November 27, 2021 - 15:57

Zarife Çoçaj, 32 vjeç, nga Prizreni, gjithmonë ka dëshiruar që të bëhet përkthyese profesionale, ndërkaq tashmë e ka rastin që ta realizojë ëndrrën e saj, duke marrë parasysh se është regjistruar në drejtimin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

“Edhe pse nuk kam përvojë si përkthyese e gjuhës serbe në atë shqipe, në të ardhmen e shoh veten si përkthyese”, thotë Çoçaj për Radion Evropa e Lirë.

Ballkanistika është një program studimor katërvjeçar, i cili është hapur në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës që nga ky vit akademik, me qëllim, ndër të tjera, që të promovojë komunikimin ndërgjuhësor dhe ndërkulturor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo, gjithashtu, do të thotë se gjuha serbe po mësohet për herë të parë që nga viti '99 në Universitetin e Prishtinës, në mësimdhënien që funksionon sipas sistemit arsimor të Kosovës. Por, në Kosovë funksionon si i ndarë edhe sistemi arsimor i Serbisë dhe në Mitrovicën e Veriut, në veri të Kosovës, ku popullsia serbe është shumicë, funksionon i ashtuquajturi Universitet i Prishtinës, i cili punon në bazë të planit dhe programit të Serbisë. Këto dy universitete, aktualisht, nuk kanë asnjë pikë kontakti ndërmjet tyre.
Megjithatë, për studentët e Ballkanistikës, mësimi i gjuhëve është mundësi për të mësuar gjuhën e fqinjit dhe që popujt e rajonit të mund të kuptohen dhe afrohen më lehtë.

“Është e dobishme të kuptohemi me njëri-tjetrin, para së gjithash dhe që për këtë nuk duhet të jetë vetëm gjuha angleze. Besoj se (Ballkanistika) do të jetë e dobishme për brezat e rinj”, shton Çoçaj.

Kurrikula e programit të studimeve në drejtimin e Ballkanistikës parashikon që përveç gjuhës shqipe dhe serbe, studentët të zotërojnë mirë edhe një nga gjuhët ballkanike, si boshnjakishtja, kroatishtja apo maqedonishtja. Gjithashtu, në vitin e katërt, studentët do të kenë mundësi të mësojnë një gjuhë ballkanike shtesë, sipas zgjedhjes, pra greqisht ose bullgarisht.

Teuta Kastrati nga Prishtina, për dallim nga Zarife Çoçaj, ka përvojë në përkthimin nga shqipja në serbisht dhe anasjelltas, por gjithsesi ka dashur të përgatitet profesionalisht për këtë profesion.

Për këtë arsye, ajo, në moshën 52-vjeçare, ka regjistruar studimet për Ballkanistikë, ndonëse qëmoti i ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik. Ajo konsideron se ky departament në kuadër të Fakultetit të Filologjisë, është dashur që të hapet më herët, sepse “Kosova është shoqëri multikulturore”.

“Ka për t’u pranuar në të ardhmen (programi i Ballkanistikës) nga ana e gjeneratës së re në Kosovë”, thekson Teuta Kastrati.

Këtë vit, në Ballkanistikë janë regjistruar gjithsej 11 studentë nga Kosova, njëri prej të cilëve është Bojan Stamenkoviq, serb nga Kamenica, qytet në afërsi të Gjilanit.

Stamenkoviq tashmë e njeh mirë gjuhën shqipe dhe nuk e ka problem që edhe ligjëratat t’i ndjekë në këtë gjuhë. Është regjistruar në Ballkanistikë, në mënyrë që në të ardhmen të jetë përkthyes profesionist dhe planifikon të jetë ligjërues i gjuhëve zyrtare.

“Realisht, për mua është e njëjtë nëse (ligjëratat) janë në gjuhën shqipe apo serbe. Natyrisht, tani është më e gjerë, ka terminologji të re, por duket interesante. Si nxënës të zellshëm, mezi presim çdo ligjëratë”, thotë Stamenkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai iu sugjeron bashkëkombësve të tij që ta shfrytëzojnë këtë rast dhe në vitin e ardhshëm të regjistrohen në Ballkanistikë.

“Pasi që mësuan se jam regjistruar në Ballkanistikë, interesimin e kanë shfaqur të paktën edhe tre apo katër të tjerë nga rajoni prej nga jam unë dhe të cilët kanë kryer fakultete, por kanë dëshirë që të regjistrohen edhe në Ballkanistikë. Besoj që vitin e ardhshëm do t’i kem edhe të paktën tre kolegë nga Kamenica”, tregon Stamenkoviq.

Studentët e Ballkanistikës i ndjekin ligjëratat në gjuhët: serbe, kroate, shqipe dhe angleze. Tani për tani, ligjëratat mbahen në formatin online, por është planifikuar që ligjëratat të organizohen në fakultet, në Prishtinë, me prani fizike të studentëve. 

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU