Klinaku i OVL-UÇK-së: Qe shtatë javë Kurti as nuk na pret në takim

Klinaku i OVL-UÇK-së: Qe shtatë javë Kurti as nuk na pret në takim

Aktuale November 27, 2021 - 14:24

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Me rastin e festave të nëntorit, ai tha se në këto organizata ruhet kujtesa dhe vlerat e lirisë.

Të shtunën ai theksoi se në këtë mënyrë shprehin mirënjohjen për gjithë luftëtarët dhe atdhetarët që luftuar për lirinë e shqiptarëve.

“Shprehim respektin për bashkëluftëtarët tonë që padrejtësisht mbahen në paraburgim. Të gjithë, kudo i trajton drejtësia, por ne besojmë në pafajësinë e tyre, besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së. Do të vazhdojmë edhe në vendet ku pushojnë heronjtë tanë, çdo herë në respekt të vlerave të lirisë, sakrificave për liri edhe do të përulemi me respekt para tyre”, ka thënë Haradinaj.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku u ka uruar festat e nëntorit bashkëluftëtarëve, për të cilat tha se po mbahen padrejtësisht tash e një vit në Hagë.

“E mira do të ishte që zotëri Kurti të vinte këtu dhe të na i uronte festat e nëntorit, siç na i kanë uruar të gjithë kryeministrat tjerë. Sepse, ne si organizata të dala nga lufta edhe pse ai e ka obligim ligjor që të na uroj festat, por edhe të bashkëpunojë me ne. Por po bëhen shtatë javë që neve, kryeministri nuk na pret as në takim. Që e ka obligim ligjor që të përkujdeset për këto kategori”, u shpreh Klinaku.

Në këtë takim, Klinaku tha se biseduan edhe rreth tragjedisë së mbrëmshme në Deçan dhe aksidentit në Bullgari.

Me rastin e Festave të Nëntorit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe heroit Zahir Pajaziti. /gazetablic