Kurti me Lajçakun diskutuan për kohën dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel

Kurti me Lajçakun diskutuan për kohën dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel

Aktuale November 25, 2021 - 21:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti dhe Lajçaku diskutuan për dialogun dhe bisedimet e deritanishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Folën po ashtu për kohën, mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel. U zotuan për komunikim dhe kontakte të rregullta, si dhe koordinim të vazhdueshëm. Paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria rajonale e kanë shumë të rëndësishme raportin dhe marrëveshjen e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti rikonfirmoi gatishmërinë e Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian.

Ndërsa Lajçaku shprehu mbështetjen e tij për agjendën evropiane të Kosovës. /Zëri