ORCA: Profesorët e universiteteve publike me pozita drejtuese paguhen më shumë se presidentja e vendit

ORCA: Profesorët e universiteteve publike me pozita drejtuese paguhen më shumë se presidentja e vendit

Aktuale November 25, 2021 - 12:12

Sipas një raporti nga organizata ORCA, profesorët në disa universitete publike në Kosovë paguhen më shumë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas ORCA-s, duke u bazuar në deklarimet e pasurisë të vitit 2021, Universiteti i Gjilanit ka më së shumti shtesa mujore me një mesatare prej 838 eurove. Ndërkaq Universiteti i Prishtinës e ka mesataren më të ulët të shtesave mujore, me një shumë prej 371 eurove, transmeton Zeri.info.

“Që nga matja e parë në vitin 2018, stafi akademik i universiteteve publike në Kosovë vazhdon të ketë shtesa enorme në krahasim me pagën bazë, mirëpo në matjet e fundit këto shtesa kanë nisur të bien në disa prej universiteteve publike e në disa po vazhdojnë të rriten dukshëm. Në këtë matje, Universiteti i Prishtinës ka shënuar rënie drastike të shumës së shtesave, ndërsa universitetet e tjera publike kanë pasur rënie të lehta dhe graduale përgjatë viteve”, thuhet në raportin e ORCA-s.

Sipas kësaj organizate, Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Ministrinë e Arsimit për vitin 2020 ka përsëritur gjetjen e viteve të kaluara se si universitetet publike me aprovime të këshillave drejtuese kanë përfshirë në rregullore, kompensime shtesë për pjesëmarrje në disa lloje të komisioneve që konsiderohen si jostatutare.

“Asnjë adresim i këtyre komenteve të kësaj zyre nuk ka ndodhur. Rektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2298 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 939 euro janë shtesa. Rektori që u pagua më së shumti në universitete publike është Fadil Millaku, tashmë ish-rektor i Universitetit të Pejës, me 2554 euro në muaj”.

“Prorektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2053 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 785 euro janë shtesa. Prorektorja, e cila u pagua më së shumti në universitete publike, është Vjollca Dibra, tashmë ish-prorektore në Universitetin e Gjakovës, me 2603 euro në muaj”, thuhet në komunikatën e ORCA-s.

Sipas tyre, Dibra njëherësh është edhe personi më i paguar nga të gjitha pozitat në të gjitha universitetet publike.

“Krahasimisht, rroga më e lartë në Kosovë, ajo e presidentes, është 2390 euro në muaj, sipas ligjit të pagave për sektorin publik. Pra, të ardhurat e profesorëve me pozita drejtuese në universitete publike tejkalojnë rrogën e personit me më së shumti përgjegjësi në Republikën e Kosovës. Dekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1934 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 672 euro janë shtesa. Prodekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1613 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 400 euro janë shtesa”, thotë ORCA.

Po ashtu, sipas kësaj organizate, mesatarja e shpenzimeve për kokë studenti në universitete publike në vitin 2020 është 796 euro. /Zëri