Shoqata e Pacientëve për grevën e mjekëve: E papranueshme që stafi mjekësor t’i përdorë pacientët si “mish për top”

Shoqata e Pacientëve për grevën e mjekëve: E papranueshme që stafi mjekësor t’i përdorë pacientët si “mish për top”

Aktuale November 25, 2021 - 10:51

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka lëshuar një komunikatë për media, ku ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë.

Ata kanë thënë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë.

“Kjo nënkupton që të paguhet puna e mjekut dhe jo profesioni i mjekut. Forma të tjera që janë aplikuar deri më tani, por edhe rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve, ajo ka mbetur e njëjtë edhe 20 vjet pas luftës. Prandaj, e vetmja zgjidhje është reformimi i sistemit shëndetësor, përkatësisht implementimi i skemës së sigurimeve shëndetësore”, thuhet nga ta.

Shoqata ka thënë më tej që nuk duhet të përdoren pacientët për ngritjen e pagave të mjekëve dhe se mund të protestojnë në vend të grevës.

“Është e papranueshme që stafi mjekësor t’i përdorë pacientët si “mish për top” në “luftën” që ata po bëjnë me Qeverinë për rritjen e pagave të tyre. Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë është i padrejtë, kur e dimë se ka masa të tjera që mund të përdoren, siç është p.sh. protesta”, thuhet më tej nga PRAK-u.

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, sipas PRAK-ut, se qëllimi final i një shërbimi shëndetësor është shëndeti i pacientit.

“Nëse Kosova ka institucione shëndetësore të palicencuara si rezultat i të cilave kufizohet edhe ofrimi, përkatësisht pranimi i shërbimit shëndetësor, nëse lista e barnave esenciale nuk është duke u përmbushur, nëse 18% e pacientëve (sipas raportit të progresit për Kosovën) nuk shkojnë fare te mjeku për shkak të pamundësisë financiare dhe 34% e tyre kanë vështirësi në marrjen e shërbimit shëndetësor etj. ... atëherë lind pyetja, a është paga problemi i parë që duhet t’i jepet zgjidhje për të përmirësuar kualitetin dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët?!”.

Ata kanë bërë thirrje të ndërpritet greva dhe se Qeverisë së Kosovës të reflektojë ndaj pakënaqësive të palëve, që të përshpejtojë reformimin e sistemit shëndetësor. /Zëri