
Edhe pa kuorum, Konjufca cakton seancë të re, e akuzon Listën Serbe për shantazh ndaj Kuvendit
Për të disatën herë në mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Këtë situatë e ka cilësuar si mjaft shqetësuese për funksionimin e Kuvendit, kryetari i tij, Glauk Konjufca, ndërsa duke u thirrur në të drejtën që i jep Kushtetuta, ai ka caktuar seancë më 18 nëntor prej orës 10:00, raporton Zeri.info.
“Kushtetuta jonë e ka paraparë që Kuvendi nuk mund të bllokohet nga ndonjë trupi të veçantë dhe Kushtetuta ia lejon kryetarit të Kuvendit të thërret seancat dhe të organizojë rendin e ditës. Pas konsultimeve me nënkryetaren Bogujevci dhe nënkryetarin Shala që ishin në mbledhjen e Kryesisë dhe pasi mora mendimet e kryetarëve të grupeve parlamentare, që ishin të pranishëm, vendosëm që me vendim të Kryetarit të Kuvendit të caktojmë seancën më 18 nëntor në orën 10:00”, ka thënë Konjufca në një konferencë për media.
Konjufca ka akuzuar Listën Serbe se po e shantazhon Kuvendin, duke bojkotuar mbledhjet e Kryesisë në momentin që kuorumi po varet prej tyre.
“Lista Serbe është duke bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Ne nuk pranojmë kurrfarë shantazhi në Kryesinë e Kuvendit dhe Lista Serbe është duke bërë shantazhin në mënyrë publike pa e fshehur. Simiqi po vjen dhe pastaj në momentin që po e sheh që ne bashkë me të po jemi katër, që është kuorumi i mjaftueshëm, ai po largohet në menyrë që mos të mund të funksionojë kryesia e Kuvendit”, ka thënë Konjufca. /Zëri