Aliu: Projekti i autostradës për Pejë s’ndalet, por në emër të asfaltit s’do të vjedhë më askush

Aliu: Projekti i autostradës për Pejë s’ndalet, por në emër të asfaltit s’do të vjedhë më askush

Aktuale October 28, 2021 - 14:20

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur rreth vendimit të djeshëm të Qeverisë për të anuluar vendimin përfundimtar 10/15 të datës 17 dhjetor 2018 për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë – Klinë – Zahaq.

Aliu ka thënë se projekti i autostradës për Pejë nuk ndalet, por sipas tij ndalen vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim.

“Projekti i autostradës për Pejë nuk ndalet. Ndalet vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim. Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv, i cili kthehet në rivlerësim. Nuk është ndaluar projekti”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ai tha se në vitin e ardhshëm është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës Pejë - Prishtinë dhe Klinë - Prizren.

“Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës Pejë - Prishtinë dhe Klinë - Prizren. Rruga Prizren - Tetovë nuk është konkurrente e rrugës Prishtinë - Pejë. Na duhen të dyja dhe do të bëhen të dyja, por pa vjedhje dhe keqpërdorime fondesh”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush.

“Në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush dhe çdo vjedhje që evidentojmë edhe nga projektet e kaluara do ta ndjekim me seriozitetin maksimal, duke e dërguar çështjen në prokurori. Kosova do të ketë njëkohësisht infrastrukturë moderne dhe administrim të mirë të buxhetit për rrugët”, përfundoi ministri Aliu. /Zëri