Hoti numëron faktorët e rritjes ekonomike gjatë vitit 2021

Hoti numëron faktorët e rritjes ekonomike gjatë vitit 2021

Aktuale October 28, 2021 - 14:12

Deputeti i LDK-së, njëherësh ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka numëruar faktorët e rritjes ekonomike të vitit 2021.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

“Janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe kthimin e ekonomisë së Kosovës në trajektoren e saj të rritjes ekonomike, e cila trajektore zanafillën e ka në pakot fiskale 1 dhe 2 të viteve 2014-2017”, ka thënë ai. /Zëri

Postimi i plotë:

Janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe kthimin e ekonomisë së Kosovës në trajektoren e saj të rritjes ekonomike, e cila trajektore zanafillën e ka në pakot fiskale 1 dhe 2 të viteve 2014-2017.

Të tre këta faktorë lidhen me zhvillimet në vitin 2020:

(1) Pakot e rimëkëmbjes ekonomike (duke përfshirë tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional), që kanë mundësuar të futen në ekonomi rreth 700 milionë euro;

(2) Koordinimi i Qeverisë dhe Bankës Qendrore gjatë vitit 2020 për riprogramim të kredive të bizneseve dhe qytetarëve për të shtyrë pagesën e interesit dhe kryegjësë për disa muaj; dhe

(3) Dërgesat e diasporës gjatë vitit 2020, që kanë arritur nivele rekorde.

Dy faktorët e parë janë rezultat i veprimeve qeveritare dhe institucionale, ndërsa i treti lidhet me natyrën altruiste të diasporës tonë për të ndihmuar të afërmit në Kosovë.

Këto veprime kanë mundësuar që kriza të tejkalohet qysh në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe t’i kthehemi rritjes ekonomike solide gjatë gjithë këtij viti.

Ekonomistët e mirëfilltë duhet të gjurmojnë lidhjet shkak-pasojë e jo të interpretojnë të dhënat shumë përciptas, duke e shtrembëruar të vërtetën me ose pa qëllim.