KMDLNJ-ja kërkon që të hetohet rasti i kërcënimit të Kurtit

KMDLNJ-ja kërkon që të hetohet rasti i kërcënimit të Kurtit

Aktuale October 28, 2021 - 14:07

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar që të hetohet rasti i kërcënimit ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një reagimi për media, nga KMDLNJ-ja kanë dënuar kërcënimin që është bërë ndaj Kurtit në rrjetet sociale, për çka theksohet se duhet të identifikohet autori dhe të merren masat.

“KMDLNJ-ja e dënon këtë kërcënim, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale dhe kërkon hetime të shpejta të identifikohet adresa dhe personat që kanë kërcënuar dhe ndaj tyre të merren masa në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Krime Kibernetike, ka potencial profesional që në kohë të shkurtër mund të zbulojë adresën e kërcënimit sikur që ka vepruar me shumë sukses në raste të ngjashme”, thuhet në reagim. /Zëri

Reagimi i plotë:

TË HETOHET RASTI I KËRCËNIMIT TË KRYEMINISTRIT KURTI!

Më 27 tetor 2021 shumë media elektronike dhe të shkruara raportuan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar me vrasje përmes rrjeteve sociale, në ndërkohë që nga LVV-ja ishte njoftimi se informatat për kërcënim i kanë marrë nga institucionet e sigurisë, përkatësisht nga AKI-ja dhe në përputhje me këto informata Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë të sigurisë, duke e përforcuar eskortën përcjellëse të kryeministrit Kurti sikur që një numër më i madh i policëve ishin angazhuar për të siguruar shtëpinë ku banon Albin Kurt, kryeministër i Kosovës.

Pas një kohe forcat e shtuara policore të angazhuara për sigurimin e shtëpisë ku banon kryeministri Kurti janë tërhequr kurse sot kryeministri deklaroi se nuk ndjehet i kërcënuar nga askush.

KMDLNJ-ja e dënon këtë kërcënim, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale dhe kërkon hetime të shpejta të identifikohet adresa dhe personat që kanë kërcënuar dhe ndaj tyre të merren masa në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës përkatësisht Njësia për Krime Kibernetike ka potencial profesional që në kohë të shkurtër mund të zbulojë adresën e kërcënimit sikur që ka vepruar me shumë sukses në raste të ngjashme.

Opinioni duhet të informohet drejtë dhe shpejt për këtë zhvillim në mënyrë që të eliminohen të gjitha mundësitë e spekulimit dhe instrumentalizimit për të përfituar politikisht apo për ta sulmuar kryeministrin Kurti dhe qeverinë, gjithashtu për qëllime politike.

Koha është e ndjeshme dhe transparenca është e domosdoshme për ta sqaruar rastin. Deklarimet politike për këtë rast mund të merren si subjektive andaj vetëm institucionet e sigurisë janë kompetente të flasin për rastin në fjalë.

Askush nuk do të duhej të falej, qoftë për kërcënim me jetë, qoftë nëse manipulohet me këtë qëllim për çfarëdo qoftë qëllimi.

KMDLNJ-ja pret dhe shpreson që Policia e Kosovës, me veprim të shpejtë dhe profesional, do të ndërmarrë masa që situata të sqarohet dhe të mos kemi pasiguri.