Abazi: Ndarjen e Kosovës e kanë përkrahur në rolin zyrtar Çitaku e Ahmeti

Abazi: Ndarjen e Kosovës e kanë përkrahur në rolin zyrtar Çitaku e Ahmeti

Aktuale October 28, 2021 - 12:24

Deputeti i LVV-së, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka reaguar pas deklaratës së politikanes boshnjake, Sabina Çudiq, e cila ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim për shkëmbim territoresh, e cila marrëveshje ishte përkrahur edhe nga Shtetet të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Abazi ka thënë se ndarjen e Kosovës e kanë shtyrë dhe përkrahur edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

“Ndarjen e Kosovës e kanë shtyrë dhe e kanë përkrahur edhe në rolin zyrtar Vlora Çitaku si ambasadore e Kosovës dhe Shpend Ahmeti kryetari i Prishtinës. Këtë e kemi thënë gjatë gjithë kohës, tani me dëshmi për këtë gjë në Twitter nga Sabina Cudic”, tha ai.

Abazi thotë se Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë kundër secilit që bën veprime antikushtetuese.

“E qytetarët pyesnin pse nuk po rregullohet rruga ‘Muharrem Fejza’?! As sot nuk është e rregulluar. Ka qenë i zënë me ndarjen dhe propagandën për të krijuar paranoja dhe ndarje brenda LVV-së. Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë kundër secilit që bën veprime antikushtetuese dhe që janë kundër integritetit territorial”, ka thënë Abazi. /Zëri