Flet motra e Burbuqe Berishës: Tha se e ka një shtrëngim, u frikësohej shkallëve të Ministrisë dhe aty mbeti

Flet motra e Burbuqe Berishës: Tha se e ka një shtrëngim, u frikësohej shkallëve të Ministrisë dhe aty mbeti

Aktuale October 28, 2021 - 11:08

Kolegji AAB ka organizuar mbledhje komemorative për nder të regjisores Burbuqe Berisha, e cila vdiq dje në objektin e Ministrisë së Kulturës në moshën 51-vjeçare.

Përveç kolegëve të shumtë, të cilët e kujtuan të ndjerën, me shumë emocion foli edhe motra e saj, Trëndelina.

Ajo tha se Buqja kohëve të fundit u frikësohej shkallëve të Ministrisë së Kulturës, për shkak të problemeve shëndetësore, dializës të cilën e bënte tri herë në javë.

“Nuk mund ta përshkruaj kontributin e madh ndaj familjes. Kemi mbetur shumë të rinj pa prindër dhe ajo ka qenë përkrahja jonë kryesore. Na ka mbështetur, është kujdesur për neve, nuk po mund ta paramendoj që nuk është më. Nuk e kemi një përkrahëse të fortë si ajo. Jam e lumtur që e kisha motër dhe ndihem shumë krenare për ato që ka bërë për neve si familje dhe vendin tonë. Dua të falënderoj të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë nga momenti që ajo ka rënë në dializë dhe momentet e para duke e ditur natyrën e Buqës, në asnjë moment nuk është dorëzuar.

Nuk është ndalur në asnjë moment, ka qenë shumë e papritur për ne, ka punuar më shumë se unë, më gjatë se unë edhe pse tri herë në javë shkonte në dializë. E ka cekur që atyre shkallëve të Ministrisë u është frikësuar, para dy javëve kemi diskutuar dhe unë nuk e mora shumë seriozisht se mirë ka qenë, tha e kam një shtrëngim, po kam frikë atyre shkallëve po mbes aty. Pasi që gjithmonë ka qenë nën kontroll të mjekëve. I thash hajt se edhe kjo tejkalohet. Dje kam hyrë në shkallë e kam parë, në shkallë të Ministrisë, thashë eh kjo e paska ditur ku do ta ketë fundin, atyre shkallëve iu frikësua dhe mbeti në ato shkallë”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.

Burbuqe Berisha do të varroset sot, në orën 15:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.