Haradinaj thirrje Qeverisë: Mos vendosni pengesa në rrugën euroatlantike të Kosovës

Haradinaj thirrje Qeverisë: Mos vendosni pengesa në rrugën euroatlantike të Kosovës

Aktuale October 23, 2021 - 12:24

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka vlerësuar lart qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA-së dhe Greqisë për integrim euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Haradinaj ka thënë se në këtë qëndrim të të dyja shteteve specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazsjellësi amerikan që sipas tij ka rëndësi jetike për Kosovën si shtet i ri.

“E vlerësoj lart qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazjellësi amerikan, e që është i një rëndësie të jetike për ne si shtet i ri.

Kjo na obligon që t’i kryejmë detyrat tona që rrugën e integrimit ta bëjmë sa më të lehtë e sa më të shkurtër”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të “kthjellohet” e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës.

“Kjo nënkupton poashtu që Kosova të mbështes të gjitha projektet që e afrojnë Kosovën sa më afër BE-së e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe gazsjellësin amerikan, projekt ky i një rëndësie strategjike dhe ekonomike, që do të garantonte edhe sigurinë energjetike të vendit tonë. Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është “çështje e disa gypave”, janë jo vetëm shkurtpamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës. Prandaj i bëj thirrje edhe një herë qeverisë së vendit tim që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës!”, ka përfunduar Haradinaj. /Zëri