Petkoviqi kritikon ashpër Bislimin për çështjen e Asociacionit
Foto: FoNet

Petkoviqi kritikon ashpër Bislimin për çështjen e Asociacionit

Aktuale October 21, 2021 - 14:46

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se deklarata e negociatorit Besnik Bislimi se Kosova nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është “kulmi i papërgjegjshmërisë dhe cinizmit” dhe se ajo prish drejtpërdrejt vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetës në dialog dhe garant i zbatimit të marrëveshjes, të reagojë ndaj mesazheve të tilla të rrezikshme nga Prishtina në lidhje me shkeljen e marrëveshjes dhe Asociacionit të Komunave Serbe. Kemi të bëjmë me një kolaps flagrant të çdo dialogu dhe marrëveshjeje të ardhshme dhe deklaratat shantazhuese dhe të njëanshme të bëra nga Bislimi nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve ose kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi”, tha Petkoviqi në një deklaratë me shkrim, transmeton Zeri.info.

Ai vlerësoi se “Beogradi ka treguar në plotëni një qasje konstruktive ndaj dialogut dhe angazhimit për të respektuar marrëveshjet e arritura”, por se “në anën tjetër të tryezës së bisedimeve ekziston një mungesë e plotë e çdo gatishmërie për bisedime”.

“Dhe bisedimet për Asociacionin e Komunave Serbe do të mbahen në raundin tjetër të dialogut, siç e ka theksuar qartë Bashkimi Evropian. Kjo është arsyeja pse do të ishte shumë më e përshtatshme që Prishtina dhe Bislimi të përgatiteshin mirë për bisedimet mbi formimin e AKS-së, në vend që të bënin kërcënime”, potencoi Petkoviqi. /Zëri