Mehaj: SHBA-ja rikonfirmoi mbështetjen për ndërtimin e FSK-së në nivelin ushtarak
Foto: Laura Hasani

Mehaj: SHBA-ja rikonfirmoi mbështetjen për ndërtimin e FSK-së në nivelin ushtarak

Aktuale October 21, 2021 - 13:10

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka mbajtur një konferencë për media pas vizitës zyrtare që kishte në SHBA.

Mehaj ka thënë se nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka marrë mbështetjen e fuqishme për Kosovën, raporton Zeri.info.

“Departamenti amerikan i Mbrojtjes na ka konfirmuar fuqishëm përkrahjen për Kosovën si partner dhe eksportues i paqes në nivel global si: Zbarkimi në misione paqeruajtëse përkrah ushtrisë amerikane, stërvitjen e forcave amerikane me aleatët e përbashkët edhe në të ardhmen, mbështetje për rolin e Kosovës në siguri dhe mbrojtje rajonale, mbështetje për mbrojtje humanitare, rikonfirmimin e përkrahjes së plotë drejt integrimit euroatlantik dhe ndërtimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës në nivelin ushtarak”, tha Mehaj.

Ai theksoi se në të gjitha takimet që ka pasur ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në të gjitha fushat.

“Ne do të jemi përkrah SHBA-së aty ku ka nevojë SHBA-ja”, ka thënë Mehaj.

Ai tha se sot hapin konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj, teksa u garantoi të gjithë të interesuarve proces transparent.

“Kam kënaqësinë të ju njoftoj se sot hapim konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj. Ky është konkursi për pranimin e numrit më të madh të ushtarëve deri më tani. Ju ftoj të gjithë të rinj të reja që dëshirojnë të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. MM-ja të gjithë të interesuarve u garanton proces fer dhe transparent”, ka thënë Mehaj. /Zëri