LDK-ja, e para me gjoba nga zgjedhjet e së dielës
Foto: Laura Hasani

LDK-ja, e para me gjoba nga zgjedhjet e së dielës

Aktuale October 20, 2021 - 16:22

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është gjobitur më së shumti nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

LDK-ja ka marrë gjoba për vendosje të posterave dhe shkelje të heshtjes zgjedhore, por edhe për përdorimin e të miturve në fushatë, ku nga katër ankesa ajo është gjobitur me 5700 euro, raporton Zeri.info.

E dyta për numrin e gjobave për shkelje gjatë zgjedhjeve të së dielës, është Lëvizja Vetëvendosje, e cila në dy raste është dënuar gjithsej 2400 euro.

Pa gjobë nuk ka shpëtuar as PDK-ja e cila është gjobitur me 1200 euro, transmeton Zeri.info.

Me ankesë të PDK-së për shkelje të heshtjes zgjedhore, është gjobitur me 800 euro edhe Lista e Pavarur – Bekim Jashari në Skenderaj.

Sipas vendimeve të PZAP-së, nga partitë e komuniteteve jo shumicë është gjobitur vetëm Partia Liberal Egjiptiane me 300 euro.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka pranuar 46 ankesa , me pretendimet se ka pasur parregullsi në ditën e votimit të së dielës.

Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë: Thyerje e heshtjes Zgjedhore - Sponsorizim i postimeve me përmbajtje elektorale në FB, Thirrje për të votuar përmes SMS-ve, Thirrje për të votuar përmes rrjetit social FB, Vendosja e posterit në afërsi të Qendrave të Votimit, Postim i një fotografie me përmbajtje elektorale në rrjetin social në FB, Shpërndarje e videove, fotove me përmbajtje elektorale në rrjetin social FB, Thyerje e heshtjes zgjedhore - thirrje për të votuar nëpërmjet postimit të fotos se fëmijëve ne rrjete sociale Instagrami, nuk i është mundësuar votimi në VV, ankesa për shkak të mungesës së votave, parregullsi në vendvotime, parregullsi gjatë numërimit të votave nga ana e KVV-ve, grumbullimi i njerëzve si presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, fletëvotime te pavulosura etj”. /Zëri