Osmani ia rithekson komandantit të ri të KFOR-it synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO

Osmani ia rithekson komandantit të ri të KFOR-it synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO

Aktuale October 20, 2021 - 14:08

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, të cilin e uroi për detyrën, duke e vlerësuar kontributin e forcës shumëkombëshe në sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në Kosovë.

Duk e përmendur rolin e KFOR-it që prej vitit 1999, Osmani ka theksuar se ky mision ka kontribuuar jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në projekte të ndryshme infrastrukturore, sikurse edhe në fushën e shëndetësisë në përballje me pandeminë.

Më tej, presidentja Osmani, siç bëhet e ditur në njoftimin për media, ka përmendur bashkëpunimin në nivel të KFOR-it me FSK-në, duke ritheksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Ndërkaq gjeneralmajor Kajari ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe konsultimeve të rregullta në kuadër të mandatit që ka KFOR-i në Kosovë. /Zëri