Kurti thotë se Raporti i Progresit tregon se qeverisja e tij po ecën mirë

Kurti thotë se Raporti i Progresit tregon se qeverisja e tij po ecën mirë

Aktuale October 19, 2021 - 19:42

Kryeministri Albin Kurti së bashku me shefin e Zyrës së BE-së, Tomaz Szunyog kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me Raportin e Progresit.

Szunyog i dorëzoi Kurtit Raportin e Progresit me ç’rast ky i fundit tha se ky është raporti i parë prej që kanë ardhur në Qeveri.

Kurti ka thënë se për këta gjashtë muaj të Qeverisë, Kosova ka shënuar shumë përparim.

“Në fundjavën që lamë pas mbajtëm zgjedhje dhe edhe këtë herë dëshmuam transparencë të plotë. Vetëm 37 ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit zgjodhëm kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Gjithashtu vetëm 13 ditë ende pa u bërë dy javë ne zgjodhëm edhe presidenten e Republikës, e cila është gruaja e dytë presidente. Në këta gjashtë muaj të Qeverisë, kemi legjitimitet demokratik dhe besueshmëri në institucione nga ana e qytetarëve, që do ta kishin zili jo vetëm vendet e rajonit por edhe ato të BE-së”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit të Qeverisë tha nga 1 prilli deri më 30 shtator janë realizuar 519 bastisje dhe 283 operacione policore, teksa theksoi se nga marsi kanë shkatërruar 29 grupe kriminale.

“Nga 23 marsi kur edhe kemi marrë detyrën kemi shkatërruar 29 grupe kriminale, një rezultat që dallon nga fillimi i fushës, po ashtu edhe në menaxhimin me Covid-19 kemi pasur pak raste dhe vetëm një të vdekur në këto ditë, duke mbetur vendi i parë në rajon sa i përket procesit të vaksinimit. Janë rritur eksportet dhe numri i punëtorëve është rritur po ashtu. Edhe në fushën e administratës publike kemi racionalizuar katër agjenci”.

Ai përmendi edhe heqjen e homologimit të veturave.

“Numri i të vaksinuarve ka mbërritur shifrën në 1.5 milionë dhe mbetemi vendi i parë në rajon që paraqet progres të pamohueshëm. Deri në fund të vitit do të kemi rritje mbresëlënëse të përqindjes së brutoproduktit vendor. Sipas vlerësimit të bankës Qendrore ekonomia jonë do të rritet për 9.9 për qind. Kemi hequr homologimin për vetura, kemi bërë demonopolizimin e terminaleve doganore, kemi bërë transferimin e 76 inspektorëve komunal”, tha Kurti. /Zëri