Gërvalla në Kuvajt diskuton mundësitë e investimeve, ankohet edhe për destruktivitetin e Serbisë ndaj Kosovës

Gërvalla në Kuvajt diskuton mundësitë e investimeve, ankohet edhe për destruktivitetin e Serbisë ndaj Kosovës

Aktuale October 13, 2021 - 23:21

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, qëndroi sot për vizitë zyrtare në Kuvajt, ku u takua me krerët më të lartë shtetëror të këtij vendi.

Ministria e Jashte, ka njoftuar se në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit mes Kosovës dhe Kuvajtit.

Gjatë qëndrimit në Kuvajt, kryediplomatja e Kosovës, ka takuar Zëvendësemirin, Princi e Kurorës, Mishal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah të cilin e ka falenderuar për mikpritjen e ngrohtë të Kuvajtit dhe mbështetjen e qëndrueshme dhënë Kosovës në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të saj, si dhe ndihmat e dhëna në fusha të ndryshme për zhvillimin e Kosovës.

Duke vënë në pah ambientin e përshtatshëm politik dhe mundësitë që ofron Kosova për investime të bizneseve të shtetit të Kuvajtit, Gërvalla theksoi se Kosova ka një popullsi shumë të re për nga mosha, të edukuar mirë dhe të përgatitur për tregun e punës, gjë që krijon mundësi për zhvillimin e bizneseve.

Nga ana tjetër, thuhet se, Zëvendësemiri siguroi vazhdimin e mbështetjes politike dhe ekonomike të Kuvajtit për Kosovën, ndërsa ministrja Gërvalla e ftoi Shkëlqesinë e tij për të vizituar Kosovën.

Në kuadër të agjendës, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u takua dhe bisedoi edhe me kryeministrin e Kuvajtit ku thuhet se u shtjelluan aspekte të ndryshme të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Kuvajtit.

"Palët u zotuan për thellimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen", thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Po ashtu Gërvalla ka takuar edhe homologun e saj në Kuvajt, Ahmad Nasser Al-Mohammad Al-Sabah ku me këtë rast u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi në fushën e diplomacisë.

"Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit në Sallën e Divanit të Përgjithshëm, nga të dy palët u theksua rëndësia e këtij memorandumi dhe nevoja e institucionalizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale", thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se gjatë takimit, dhe pas drekës zyrtare, palët u ndalën në bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme si investimet, ekonomia, tregtia dhe tema të tjera me interes të përbashkët.

Vizita e Gërvallës ka vazhduar me takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillim Arab Ekonomik, Marwan A. Al-Ghanem

Në takim thuhet se u shtjelluan mundësitë e investimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe infrastrukturës në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast palët ranë dakord që të formojnë një grup të përbashkët punues për të identifikuar fushat e mundshme të investimeve dhe pastaj konkretizimin e tyre.

Po ashtu kryediplomatja ka pasu një takim edhe me me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, Abdulëahab Mohammed Al-Wazzan, të cilin e ka njoftuar rreth zhvillimeve politike në Kosovë, stabilitetin politik dhe atë qeverisës, si dhe fushat e mundshme të investimeve për bizneset kuvajtiane.

"Ajo vuri po ashtu në pah mundësitë e përshtatshme që ofron Kosova për investime në fusha të ndryshme të ekonomisë, bujqësisë dhe infrastrukturës", thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Gjatë qendrimit në Kuvajt, ministrja Donika Gërvalla sot mbajti para diplomatëve të rinj kuvajtian një ligjëratë, gjatë së cilës i njoftoi ata për rrugën e Kosovës deri në arritjen e pavarësisë së saj si dhe sfidat rreth forcimit të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

Diplomatët e Kuvajtit i njoftoi në vijim edhe rreth politikës destruktive dhe aspak fqinjësore që Serbia dhe aleatët e saj vazhojnë të ndjekin kundër shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Në fjalën e saj, Gërvalla theksoi faktin që Serbia akoma nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën e saj hegjemoniste dhe gjenocidale ndaj fqinjëve të saj, duke bllokuar kështu proceset rajonale të bashkëpunimit dhe rrugën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

"Këtë fakt znj.Gërvalla e ilustroi me ngritjen e para disa ditëve të aeroplanit MIG29 në kufi me Kosovën, destabilizimin e Malit të Zi, paralizimin e Bosnjë Hercegovinës dhe rolit të Kishës ortodokse sebe. Ajo vuri në pah orientimin properëndimor të Kosovës, si dhe theksoi domosdoshmërinë e përkrahjes së miqve dhe partnerëve të Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare", thuhet në komunikatë. /Zëri