Ambasadori gjerman revoltohet me krahasimin që Rakiqi i bëri aksionit të sotëm policor në veri me “Natën e kristaltë”
Foto: Laura Hasani

Ambasadori gjerman revoltohet me krahasimin që Rakiqi i bëri aksionit të sotëm policor në veri me “Natën e kristaltë”

Aktuale October 13, 2021 - 19:34

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës zhvilloi disa aksione kundër kontrabandës në disa rajone të vendit.

Në mesin e tyre ishte edhe veriu i Kosovës, ku policia kishte shkuar në një barnatore atje për të kontrolluar për barna kontrabandë.

Gjatë këtij aksioni, policia u përball me turma të organizuara të dhunshme të qytetarëve të atjeshëm lokalë, të cilët sulmuan forcat e rendit.

Situata vazhdoi e tensionuar për disa orë, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri nga të dyja palët, dhe ku mbetën të plagosur po ashtu nga të dy palët.

Ndërkaq, për këtë ngjarje, ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Jorn Rohde.

Megjithatë, ai u ndal te një deklaratë të kreut të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili e ndërlidhi aksionin e sotëm policor në veri të vendit me atë që njihet si “Nata e kristaltë” në Gjermani.

Rohde kërkoi që të ndalohet krahasimi i këtyre dy rasteve sepse, sipas tij, kështu kontribuohet drejt shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit.

“Stop! Krahasimi i aksionit të sotëm policor me ‘Natën e kristaltë’ është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt narracionit të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. Mbroni faktet”, shkroi ambasadori gjerman në Twitter.

 

Reagimi i ambasadorit gjerman vjen pas deklaratave të bëra nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, para takimit që pati me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Rashkë gjatë ditës së sotme pas zhvillimeve në veri.

Rakiqi tha: “Kjo është çështje jete a vdekjeje për të gjithë serbët dhe kjo është ‘Nata e Kristaltë’”.

“Nata e kristaltë” i referohet 9 nëntorit të vitit 1938, një ndër tragjeditë më të mëdha të epokës moderne që njeh bota, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrenjve.

E gjitha kishte nisur më 7 nëntor 1938, kur një djalosh i ri polako-hebre, Herschel Grynszpan, qëlloi për vdekje diplomatin gjerman Ernst von Rath në Ambasadën Gjermane në Paris. Akti erdhi si pasojë e revoltimit të të riut si pasojë e torturave që kishte filluar të shfaqte regjimi nazizt ndaj popullatës hebre. Familja e të riut ishte dëbuar dhunshëm për në Poloni me urdhër të autoriteteve naziste. Ngjarja bëri bujë në shtypin ndërkombëtar dhe bota që nga ajo natë ishte në panik. Dyqanet e hebrenjve filluan të mbuloheshin me grafite antisemite. Ministri gjerman i propagandës, Joseph Goebbles, urdhëroi që lajmi për vrasjen e Rathit të ishte në të gjitha gazetat ditore gjermane.

Ishte nata e 9 nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrenjve në Gjermani dhe Austri, duke përdorur si pretekst pikërisht këtë ngjarje. Më 9 dhe 10 nëntor u dogjën dhe u shkatërruan mbi njëmijë sinagoga, u përdhosën varrezat e hebrenjve dhe u thyen të gjitha dyqanet e tyre. Nga gjithë xhamat e thyer dhe të rënë nëpër tokë, që dukeshin si kristale në atë natë mizore, 9 nëntori njihet në historinë moderne të njerëzimit si “Nata e Kristaltë” (Kristallnacht) apo “Nata e xhamave të thyer”. /Zëri