Osmani: Presim nga BE-ja të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson

Osmani: Presim nga BE-ja të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson

Aktuale October 13, 2021 - 16:22

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me situatën në Mitrovicën e Veriut, pasi Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion antikontrabandë.

Osmani ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme.

“Lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre. Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet ‘aksion në veri’, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Sipas saj, “disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim”.

Osmani thotë se ato ditë kanë perënduar, duke thënë se lufta kundër krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike por siglën e përkatësisë në grupe kriminale.

“Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë”, tha Osmani.

Në fund, shefja e shtetit ka thënë se pret nga BE-ja që të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson. /Zëri