Sulmohet ekipi i REL-it në veri
Foto: Laura Hasani

Sulmohet ekipi i REL-it në veri

Aktuale October 13, 2021 - 16:09

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, pas aksionit për kontrabandë të mallrave të Policisë së Kosovës të zhvilluar mëngjesin e sotëm.

Siç raportojnë gazetarët e “Zërit” nga vendi i ngjarjes në rrugën Rudarë, në Zveçan, ata ende po sulmohen nga protestuesit serbë të cilët po shprehin pakënaqësi ndaj aksionit të autoriteteve kosovare, i cili tashmë ka përfunduar.

Në një video të dërguar nga gazëtarët e “Zërit” shihet se si protestuesit kanë sulmuar gazetarët e mediumit “Radio Evropa e Lirë”.

Gazetarja e “Zërit” Besarta Mehmeti bën të ditur se protestuesit kanë sulmuar veturën taksi në të cilën ishin gazetarët e “Rel”-it, duke iu hapur derën e veturës e duke ia thyer një pjesë të kamerës me të cilën po kryente incizimin kameramani.

 

Gazetarja po ashtu bën të ditur se gazetarët e “Rel”-it kanë njoftuar se do të raportojnë rastin në Polici.

Rasti është raportuar edhe nga vetë REL-i, ku thuhet:

“Me të hyrë në Rudarë, vetura me të cilën po udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë, është ndaluar dhe është rrethuar nga rreth 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi. Ekipi ka arritur të largohet nga turma pa u lënduar", shkruan Radio Evropa e Lirë.

Sulme ndaj gazetarëve ka pasur sot edhe në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, të cilët janë sulmuar nga huliganët serbë me mjete shpërthyese e të cilët ishin mbledhur në grup, përafërsisht në 30 persona.

Pas përfundimit të aksionit, Policia e Kosovës është larguar nga vendi i ngjarjes duke i lënë gazetarët të ekspozuar ndaj dhunës së ushtruar nga protestuesit serbë. /Zëri

Image