Mehaj dhe Rama në SHBA, diskutojnë në Departamentin e Mbrojtjes për blerje ushtarake nga ky vend

Mehaj dhe Rama në SHBA, diskutojnë në Departamentin e Mbrojtjes për blerje ushtarake nga ky vend

Aktuale October 12, 2021 - 18:29

Gjatë vizitës që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës Vjetore të Shoqatës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (The Association of the United States Army ) – “AUSA 2021”.

Mehaj dhe gjenral Rama, të cilët janë të ftuar zyrtarisht nga presidenti i AUSA-së, gjeneral Carter F. Ham, patën mundësinë të njihen me produktet e ekspozitës ushtarake dhe shumë prezantime të tjera të zhvillimit profesional, të ofruara nga liderë ushtarakë të Ushtrisë Amerikane dhe të Departamentin Amerikan të Mbrojtjes.

Në po të njëjtën ditë, Mehaj dhe gjeneral Rama nderuan dhe përkujtuan me respektin më të lartë, të gjithë ushtarakët amerikanë –dëshmorë të lirisë dhe paqes kudo në botë.

Pas nderimit me kurorë lulesh pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare në Arlington, ata vizituan edhe Muzeun e Kompleksit Memorial, ku ministri Mehaj dhuroi një replikë të helmetës iliro-dardane.

“Kjo helmetë u vendos në vend të rëndësishëm të Muzeut, si simbol i mirënjohjes, nderit dhe respektit të përjetshëm të kombit tonë për SHBA-në, kombin amerikan dhe ushtarët e saj”, thuhet në njoftimin për media.

Mehaj së bashku me gjeneral Ramën, po ashtu kanë takuar edhe Drejtoreshën e Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, Heidi Grant.

Me Grantin ata vazhduan diskutimet e nisura nga takimi i fundit në Split, lidhur me format e thellimit të bashkëpunimit dhe zbatimit sa më të suksesshëm dhe efektiv të konceptit të blerjeve ushtarake, përmes Programit të Shitjeve të Jashtme Ushtarake të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.

Ministri Mehaj dhe Grant u pajtuan se bashkëpunimi midis SHBA-së dhe Republikës së Kosovës udhëhiqet nga vlera dhe interesa të përbashkëta, andaj theksuan se do të intensifikojnë edhe më shumë angazhimet në mënyrë që të përmbushen qëllimet e përbashkëta të mbrojtjes.

“Gjatë ditës së dytë të ekspozitës “AUSA 2021”, ministri Mehaj takoi edhe gjeneralin amerikan në pension Randal Dragon, drejtor i Kompanisë Këshilluese të Agjencitë Federale Civile dhe të Mbrojtjes (LMI). Me gjeneral Dragon ata diskutuan, përveç tjerash, edhe për prokurimin dhe blerjet ushtarake si dhe shkëmbyen eksperiencat e ndërsjella lidhur me këto çështje”, bëhet e ditur në njoftim. /Zëri