Ish-asamblisti i LDK-së në Prizren “shpërblehet” me post në ministri pasi kaloi në listën “Guxo”

Ish-asamblisti i LDK-së në Prizren “shpërblehet” me post në ministri pasi kaloi në listën “Guxo”

Aktuale October 12, 2021 - 09:49

Ministria e Bujqësisë shpejt e ka shpërblyer me post asamblistin nga Prizreni, Petrit Hoxhaj, që u largua nga LDK-ja dhe kaloi në listën “Guxo” pak para zgjedhjeve të 17 tetorit.

Në zgjedhjet e fundit lokale, që u mbajtën në vitin 2017, Hoxhaj ishte zgjedhur asamblist i LDK-së me 537 vota, ndërsa pak muaj më parë doli si i pavarur dhe kohët e fundit ka kaluar në listën “Guxo”, e kjo iu shpërblye sot me një post në Ministrinë e Bujqësisë.

Hoxhaj ka njoftuar sot se me vendim të ministrit të bujqësisë, Faton Peci, i cili vjen po ashtu nga lista “Guxo”, është emëruar këshilltar i tij, raporton Zeri.info.

“Ju njoftoj se sot, me vendim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zt. Faton Peci, emërohem këshilltar në kabinetin e ministrit, i vetmi nga regjioni i komunës së Prizrenit”, ka njoftuar Hoxhaj.

E nga ish-partia e Hoxhajt nuk kanë dashur ta komentojnë emërimin e tij.

I kontaktuar nga “Zëri”, kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, nuk ka dashur të komentojë emërimin e tij me arsyetimin se nuk është në dijeni për këto zhvillime, ai vetëm ka treguar se Hoxhaj është larguar muaj më parë nga LDK-ja dhe ka kaluar në listën “Guxo”.

“Zëri” që nga dita e djeshme ka pritur nga Hoxhaj për një përgjigje, por i njëjti nuk ka komentuar fare emërimin e tij në këtë post. /Zëri

Image