Hoxhaj për reciprocitetin e targave ndaj Serbisë: Më mirë vonë se kurrë!

Hoxhaj për reciprocitetin e targave ndaj Serbisë: Më mirë vonë se kurrë!

Aktuale September 22, 2021 - 14:07

Deputeti nga radhët e PDK-së Enver Hoxhaj ka komentuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e reciprocitetit për targa nga ana e Serbisë.

Hoxhaj ka thënë se e mirëpret vullnetin e Qeverisë për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë - Serbi dhe është shprehur se vendimet e tilla janë “më mirë vonë se kurrë”.

“Vendime të tilla duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë së Kosovës, jo hapjes së fushatës zgjedhore. Kryeministri Kurti që në të kaluarën ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afrimon ato! Më mirë vonë se kurrë! Por ne që ishim në qeveri dhe që tash jemi në opozitë, s’duhet të jemi vonë karshi interesit shtetëror. Është e shëndetshme për demokracinë e brendshme në Kosovë të kemi dallime politike, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë dhe kur jemi në të drejtën tonë si shtet!”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka shtuar se shpreson që reciprociteti të jetë në koordinim të plotë me SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Vendime të tilla strategjike kërkojnë veprim politik e krijim të fakteve brenda Kosovës, koordinim të jashtëm me partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe betejë diplomatike me kundërshtarët e shtetit tonë! Vetëm kështu përmbushen qëllimet dhe mënjanohen pasojat që mund të prodhojë gjendja në veri të vendit!”, ka thënë Hoxhaj.

“Në këto momente, të gjithë jemi me mendje dhe zemër me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në dekadën e fundit kanë dëshmuar se janë gardianët më të mëdhenj të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka shtuar ai. /Zëri