Dëshmitari nervozohet me pyetjet e avokatit mbrojtës të Sali Mustafës

Dëshmitari nervozohet me pyetjet e avokatit mbrojtës të Sali Mustafës

Aktuale September 22, 2021 - 11:33
Seanca e tretë e rastit të Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë

Sot ka filluar dita e tretë e gjykimit të Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë, seancë në të cilën i akuzuari u shfaq online.

Në këtë seancë, e cila filloi me pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarit Mustafa, gjithçka shkoi pa zë, si seancë private. Më pas mbrojtja filloi me pyetjet publike ndaj dëshmitarit rreth rrahjes së tij të dytë, duke e pyetur nëse i njihte ata që e rrihnin dhe a kishte vërejtur ndonjë tipar.

”Ka qenë terr, nuk kam parë asgjë”, tha fillimisht dëshmitari, e më pas në pyetjen e dytë tha se “njëri kishte pasë mjekër të madhe”. Kur u pyet konkretisht për syze, ai tha “njëri më duket po, mirëpo nuk jam i sigurt”, raporton “Zëri”.

Avokati citoi një pjesë të transkriptit dhe e pyeti “ata që po të rrihnin a i drejtoheshin njëri-tjetrit me emër”, gjë që ngriti prokurorin dhe i kërkuan gjykatëses të bëjë pyetjen. Dëshmitari tha se “vetëm një herë e kam ni njërin që i ka thënë tjetrit në një emër të çuditshëm ‘tabut’, ma anej s’kam ni kurgjo”.

Marrja në pyetje e dëshmitarit vazhdoi duke e pyetur nëse personi me kapelë të kuqe që e kishte përmendur në rastin kur i kanë vënë pistoletën në kokë kishte qenë i pranishëm aty ku e kanë rrahur. Dëshmitari u përgjigj “Po”, duke e thënë përgjigjen e njëjtë se i akuzuari ka qenë atë natë kur e kanë rrahur.

”Unë e di se ma vonë, e di se kryesori ka qenë i akuzuari. Unë nuk e kam pa më herët... Nashta kur i kanë dhez do bateria aty kanihere, e kom pa si person, por s’po më kujtohet se ka qenë terr. Logjikisht tjetër kush nuk ka mujt mem rreh, pos ai. Ai u kon kryesor aty. Çka ka thanë ai, u bo aty”, ka thënë në vazhdim dëshmitari.

Mirëpo, dëshmitari ka treguar nervozë ndaj avokatit kur ka insistuar avokati të dijë se si e di që ka qenë ky person kur nuk e ka njohur.

“Këtë person që po e përmend qe 100 herë, është mirë mos me përmend kaq shumë. Unë nuk e kam njoftë, as nuk e kam ditë as kush osht, as çka është problemi me ata. Ma në fund nuk jam budallë, e di kush osht ai zotëria që e mbron ti, është qyky. Unë s’mund të thom ty ose dikujna tjetër. Por ai është. Edhe mos më qit mo qesi pyetje se pom doket...”, ka thënë dëshmitari. /Zëri