Projektligji i ri për kompensimin e viktimave të krimit, drejt finalizimit

Projektligji i ri për kompensimin e viktimave të krimit, drejt finalizimit

Aktuale September 16, 2021 - 15:39

Në Ministrinë e Drejtësisë u mbajt takimi i Grupit Punues për finalizimin e projektligjit të ri për kompensimin e viktimave të krimit, me ç’rast u adresuan komentet dhe propozimet e pranuara gjatë konsultimeve paraprake dhe me publikun.

“Përmes projektligjit të ri për kompensimin e viktimave të krimit, avancohet programi për kompensim të viktimave të krimit në funksional dhe të konsoliduar, duke u garantuar më shumë mbështetje viktimave të krimit. Këto ndryshime konfirmojnë përqasjen institucionale proviktimë, duke u bërë shembull në rajon”, tha zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Shala theksoi se ndryshimi dhe plotësimi i dispozitave të ligjit lehtëson procedurat për aplikim për kompensim, parasheh afate më të gjata për viktimat për të kërkuar kompensim dhe garanton mundësinë për kompensim të menjëhershëm për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit dhe kategori tjera të viktimave të ndjeshme.

Ky Grup Punues përbëhet nga përfaqësues të institucioneve kompetente dhe të shoqërisë civile dhe udhëhiqet nga zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë. Përgjatë gjithë fazave të punës, Grupi Punues është mbështetur nga ekspertë të Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së.

Adresimi i komenteve dhe finalizimi i këtij projektligji hap rrugë për procedim për deklarata përkatëse dhe më pas për shqyrtim dhe miratim nga ana e Qeverisë.