Lajçaku tregon se a ka ardhur në Kosovë për arkivat
Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka mohuar se sot në takim me kryeministri Albin Kurti ka folur për marrëveshjen rreth hapjes së arkivave të luftës.
Lajçaku pas takimit me Kurtin ka thënë para mediave se kanë biseduar për dialogun në Bruksel.
“Biseduam për dialogun dhe rrugën përpara – kjo është më e rëndësishmja. Diskutuam edhe për bashkëpunimin rajonal dhe disa çështje tjera, por fokusi ishte te dialogu”, deklaroi ai.
Ai mohoi se temë e diskutimit me Kurtin ishin arkivat e shtetit, e edhe ato të UÇK-së.
“Nuk diskutuam për arkivat. Më lejoni t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, e dini që kam një vizitë treditore, takime me palë të ndryshme dhe do t’iu jap përgjigjen pasi të përfundojnë sepse sapo kam filluar. Tani do ta takoj [zv.kryeministrin Besnik] Bislimin, për të vazhduar diskutimet më në detaje”, tha Lajçaku pas takimit. /Zëri