Shtyhet deri më 26 shtator fillimi i vitit të ri shkollor
Foto: Laura Hasani

Shtyhet deri më 26 shtator fillimi i vitit të ri shkollor

Aktuale September 10, 2021 - 14:23

Kryetarët e komunave sot kanë mbajtur një takim virtual me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitinë për të diskutuar për situatën me pandeminë COVID-19, me theks të veçantë për masat e reja pas 13 shtatorit.

Në një komunikatë nga Asociacioni i Komunave thuhet se Vitia në këtë takim informoi kryetarët e komunave lidhur me situatën e tashme me pandeminë dhe sidomos aktivitetet ndërinstitucionale kundër kësaj pandemie.

“Ai tha se në këtë kohë kemi pasur shumë takime për të vlerësuar situatën me infeksione. Po ashtu ai u tha kryetarëve të komunave se sot kemi kaluar shifrën prej një milion të vaksinuarve në nivel vendi, që është një shenjë e mirë në këtë drejtim, për çka ministri Vitia falënderoi edhe kryetarët e komunave për angazhim në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Ministri Vitia informoi kryetarët e komunave me propozimet për masat e reja, që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator dhe do të vlejnë deri me 26 shtator, ku ndër to është edhe shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor, transmeton Zeri.info.

Ndërsa për gastronominë mbesin në fuqi masat e njëjta deri më 26 shtator.

Masat e reja deri më 26 shator:

- Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.

- Lejohen takimet vetëm deri në 20 persona, duke mbajtur distancën 1.5 metra.

- Institucionet publike punojnë vetëm me staf esencial.

- Gastronomia vazhdon, si edhe masat e deritashme.

- Në pikat kufitare nga 13 shtatori mbi moshën 16-vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani.

- Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS-së dhe komunave pezullojnë aktivitetet deri më 26 shtator.

- Ndryshe masat tjera vazhdojnë siç kanë qenë në këto dy javët e fundit.