Publikimi i përgjimeve, KPK-ja nis procedurë disiplinore ndaj një prokurori

Publikimi i përgjimeve, KPK-ja nis procedurë disiplinore ndaj një prokurori

Aktuale August 04, 2021 - 19:17

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka thënë se është duke i përcjellë me vëmendje audio-incizimet e plasuara nga disa portale dhe ka shprehur përkushtimin për të siguruar se sistemi prokurorial dhe KPK-ja vepron vetëm konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Këshilli Prokuroria ka bërë të ditur se sot ka parashtruar kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave ligjore, ka parashtruar sot në KPK kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara në portalin “Shqip.com”.

KPK, në kuadër të kompetencave ligjore, do ta trajtojë këtë kërkesë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke themeluar panelin hetimor i cili është kompetent për të trajtuar shkeljet e pretenduara”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Gjithashtu, KPK siguron se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ta trajtuar këtë rast dhe njëherësh njofton tërë opinionin publik dhe institucionet e pushtetit ekzekutiv se “nuk do t’i nënshtrohet asnjë lloj presioni apo tentim-ndikimi nga jashtë, por veprimet e veta gjithnjë do të jenë në përputhje me kompetencat që ia garanton Kushtetuta dhe Ligji”, thuhet në fund të reagimit.

Kujtojmë se sot gjatë ditës në lidhje me këto përgjime që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, saktësisht në prokurori, ka reaguar edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është shprehur e tronditur.

Ajo i ka cilësuar këto përgjime më të rënda se rasti “Pronto”.

“Nuk kemi parë reagime shoqërore, nga mediat, nga shoqëria civile. Nuk po ndodh e njëjta siç ka ndodhur me aferën ‘Pronto’, po ndodh një skandal shumë i madh ndaj të cilit nuk po ka asnjë reflektim. Si ministre thërras reagim shoqëror, qoftë nga mediat, shoqëria civile por edhe institucionet”, ka thënë Haxhiu. /Zëri