BE-ja shprehet e kënaqur me Agjendat e Reformës Evropiane të Qeverisë

BE-ja shprehet e kënaqur me Agjendat e Reformës Evropiane të Qeverisë

Aktuale August 04, 2021 - 18:59

Zyrtarët e BE-së janë shprehur të kënaqur me përpilimin e Agjendës për Reforma Evropiane 2 nga Qeveria e Kosovës.

Kështu thuhet pas një takimi që ka pasur sot zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili ka pritur në takim zëvendësshefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Riccardo Serri.

Në një njoftim nga Qeveria thuhet se ky takim u organizua në kuadër të koordinimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të BE-së për përpilimin e Agjendës për Reforma Evropiane 2, për të cilin thuhet se, Serri u shpreh që zyra e BE-së është e kënaqur me dokumentin e përpiluar nga Qeveria, si dhe e mirëpresin zbatimin e këtij plani konstruktiv dhe ambicioz.

“Njëkohësisht theksoi se zbatimi i kësaj agjende do të shpie në reforma pozitive reale për qytetarët dhe bizneset përgjatë rrugës së Kosovës drejt BE-së.

Bislimi tha se përpilimi i këtij dokumenti në kohë relativisht të shkurtër është rezultat i punës së përbashkët e të palodhshme të përfaqësuesve të Zyrës së BE-së dhe të stafit të Qeverisë, e që do të vazhdojë në realizimin dhe monitorimin e këtij plani”, thuhet në komunikatën e Qeverisë pas takimit. /Zëri