Sogojeva: Rritja e rasteve me COVID mund të çojë në mbylljen e sallave të dasmava

Sogojeva: Rritja e rasteve me COVID mund të çojë në mbylljen e sallave të dasmava

Aktuale August 01, 2021 - 16:08

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka bërë thirrje për vaksinim tek të gjithë qytetarët e vendit, pasi sipas tij në të kundërtën shumë shpejtë do kemi një mbyllje të sërishme.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online, ka shtuar se nëse nuk ndodh vaksinimi tek të gjithë që është shpresa e vetme, atëherë shumë shpejtë do vije deri tek masat rigoroze.

“Pas prononcimit të IKShKPK-së dhe ministrisë së Shëndetësisë që kemi një rritje të infektimeve, sidomos me shfaqjen e virusit Delta, shfrytëzoj rastin që në emër të Odës të lus të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata të cilën edhe me veprimtari hoteliere që sa më parë të kryejnë vaksinimin, e vetmja shpresë për mos me ardhe deri tek një masë tjetër qe neve nuk kishte me na konvenuar, e vetëm vaksinimi është zgjidhje”, tha Sogojeva.

Tutje Sogojeva thekson që marrëveshja e tyre me ministrinë ka qenë, se në rast që ka rritje të rasteve me infeksion, atëherë do pajtohen me çfarëdo mase që ata caktojnë.

“Ne kemi një marrëveshje mes ministrisë dhe Odës dhe jemi dakorduar se gjatë hapjes, në rast që paraqiten ose kemi ngritje të infektimeve masat do të ndryshojnë dhe që ne do të pajtohemi, andaj unë apeloj për mos me ardhur deri tek një ndryshim i masave që do i dëmtonte bizneset, të vaksinohemi”, theksoi tutje ai.