Ujësjellësi siguron konsumatorët e Podujevës se uji është i sigurt për pije

Ujësjellësi siguron konsumatorët e Podujevës se uji është i sigurt për pije

Aktuale August 01, 2021 - 15:14

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar qytetarët e Podujevës se dje kanë pasur një shpërthim të linjës që furnizohet nga SP Peran.

Përmes një njoftimi për media nga KRU “Prishtina” u tha se defekti ishte shumë i madh për atë arsye edhe mungesa e ujit ishte afatgjatë.

Por, kompania i ka siguruar qytetarët se uji është i sigurt për pije, edhe përkundër raportimeve se uji ka ardhur i turbullt.

Arsye, sipas KRU "Prishtina", për këto turbullira momentale është pastrimi i gypave nga mbetjet që kanë hyrë gjatë kohës sa gypi ka qenë i çarë.

“Duke qenë se defekti ishte shumë i madh, ku u detyruam një pjesë të linjës ta ndërrojmë, rrjedhimisht edhe mungesa e ujit ishte për kohë të gjatë, gjatë defekteve por edhe mungesa e gjatë e ujit, bënë që kur të rikthehet furnizimi me ujë shpërlan mbetjet që kanë hyrë gjatë kohës selë defektit dhe uji në dukje mund të vijë me turbullire momentale, ashtu siç ndodh rëndom”, thuhet në njoftim.

Kompania kërkon që lajme të tilla të mos plasohen pa e kontaktuar fillimisht kompaninë "e mos të publikojnë lajme të tilla vetëm për të sjellë frikë te qytetarët".

“Ju sigurojmë qe uji është i kontrolluar dhe monitoruar 24 orë, dhe ajo turbullirë ka qenë momentale. Do të ishte më e ndershme që portali në fjalë, të drejtohej fillimisht te ne, e të mos bëhen postime sa për klikime, me tendenca të ulëta, vetëm sa për të ndjellë frike të panevojshme te qytetarët”, thuhet në reagimin e KRU "Prishtina". /Zëri