Gazetari shqiptar tregon historinë e 11-vjeçares që e takoi në kampin “e ferrit”

Gazetari shqiptar tregon historinë e 11-vjeçares që e takoi në kampin “e ferrit”

Aktuale August 01, 2021 - 13:49

Gazetari Taulant Koplikaj, i cili ka ndjekur nga afër operacionet e shpëtimit të shtetasve shqiptarë nga kampet e ISIS në Siri, tha se në kampin Roxh, në Siri ndodheshin rreth 50 shtetas shqiptarë.

Ai ndau historinë emocionuese të një vajze 11-vjeçare të cilën e kishte takuar dy javë më parë në këtë kamp. Mes lotësh, ajo i kishte rrëfyer dëshirën për t’u kthyer në Tiranë, ku kishte edhe shoqet e fëmijërisë.

“I premtova që do t’ju kthejmë shumë shpejt, ishte më tepër një premtim zemre. Fat i mirë e deshi që ajo të kthehej sot në Tiranë”, rrëfeu gazetari.

Ai tregoi se në kampin e Al Holit është shumë e vështirë dhe e rrezikshme të veprohet për shkak të pranisë së terroristëve të ISIS si brenda dhe jashtë ambienteve të kampit.

Numri i shqiptarëve që gjenden brenda këtij kampi nuk mund të përcaktohet, tha gazetari, pasi atje jo vetëm që fshihen ose mbahen peng, por edhe janë regjistruar me identitete të tjera, çka e vështirëson edhe më tepër gjetjen e tyre. /euronews.al