Kosovarët “bllokojnë” Shqipërinë dhe Malin e Zi

Kosovarët “bllokojnë” Shqipërinë dhe Malin e Zi

Aktuale August 01, 2021 - 13:11

Autoritetet kufitare shqiptare njoftuan se vetëm në pak orë, nga Kosova për në Shqipëri sot hynë mbi 30 mijë turistë, duke bërë që rrugët që çojnë në bregdet anë e kënd Shqipërisë të bllokohen pothuajse plotësisht.

Por, tollovi kosovarët nuk kanë shkaktuar vetëm në Shqipëri.

"Zëri i Amerikës" ka njoftuar se dita e sotme ka shënuar edhe fluksin më të madh të lëvizjes së automjeteve dhe udhëtarëve në pikëkalimin kufitar të Muriqan - Sukobinës, në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi.

Një varg i gjatë makinash, prej më shumë se një kilometër, ishte në pritje për të kaluar kufirin në drejtim të Malit të Zi.

Pjesa më e madhe e automjeteve janë të shtetasve kosovarë, që udhëtojnë për pushime në bregdetin e Ulqinit, apo në vendet e Bashkimit Evropian.

Megjithëse autoritetet kufitare po punojnë me katër sportele, udhëtarët qëndrojnë në pritje prej disa orësh për të kaluar kufirin. /Zëri