Presidenca sot i ndan medaljen Beau Bidenit

Presidenca sot i ndan medaljen Beau Bidenit

Aktuale August 01, 2021 - 08:28

Sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të ndajë Medalje Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Bidenin, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur nga kanceri në tru më 2015.

Osmani i ka dërguar letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden të cilin e ka ftuar që të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Bidenin.

“Mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden. Merr pjesë presidentja Vjosa Osmani dhe ambasadori i ShBA-së, Philip Kosnett. Ndërsa përmes një video-mesazhi, të pranishmëve do t’iu drejtohet presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. (Oborri në hyrje të objektit të Kuvendit, ora 18:30)”, thuhet në njoftim.

Nië video-mesazh nga Presidenti Biden veçse u publikua nga Presidentja Osmani. Aty Bideni thotë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës.

Kujtojmë se më 2016, në vitin e fundit të mandatit të tij si Nënpresident, Joe Biden me familjen e tij vizituan Kosovën për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të një rruge me emrin e Beau Biden, rrugë kjo që gjendet afët kampit ushtarak amerikan, "Bondsteel"./Zëri