CNN-i shkruan për video-mesazhin e Bidenit për Kosovën

CNN-i shkruan për video-mesazhin e Bidenit për Kosovën

Aktuale July 30, 2021 - 19:20

Mediumi i madh amerikan, CNN, ka raportuar për video-mesazhin që presidenti amerikan, Joe Biden, i ka dërguar sot popullit të Kosovës.

Të dielën, presidenti Joe Biden do të pranojë një medalje nga presidentja e Kosovës në emër të të birit të tij, Beau Biden, për punën e tij për të ndihmuar forcimin e sistemit të drejtësisë së vendit të shkatërruar nga lufta, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

“Mesazhi i para-regjistruar i Bideni, i cili u nda me CNN-in, do të transmetohet gjatë një ceremonie në Kosovë për të pranuar zyrtarisht medaljen presidenciale pas vdekjes në emër të djalit të tij, i cili vdiq nga kanceri i trurit në 2015. Çmimi do të jepet nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani”, shkruan CNN, raporton Zeri.info.

Bideni, siç shkruan CNN, në video thotë se çmimi “është një nder i madh” dhe se djali i tij “u dashurua me vendin” kur kaloi kohë atje. Beau Biden ka punuar në Kosovë pas luftës së viteve 1998-1999 me forcat ushtarake dhe me OSBE-në për të ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve.

“Bideni tha se fëmijët e Beau Bidenit, Natalie dhe Hunter, ishin aty në kohën kur po e incizonte adresimin e tij për pranimin e çmimit”, thotë më tej CNN.

Mediumi amerikan kujton vizitën e vitit 2016 të Joe Bidenit në Kosovë si zëvendëspresident kur vendi emërtoi një autostradë me emrin Beau Biden, jo shumë larg bazës ushtarake amerikane. Presidenti tha në mesazhin e incizuar se ajo përvojë ishte “shumë prekëse” për tërë familjen e tij dhe se ata janë “përgjithmonë falënderues”.

“Beau ka mundur të shohë, edhe atëherë, se e ardhmja ishte e mundur për vendin tuaj krenar. E ardhmja e Kosovës ishte mohuar për shumë kohë. Për këtë ai ishte shumë i përkushtuar me popullin e Kosovës që të sigurohet se krimet e luftës do të hetoheshin tërësisht dhe do të ndiqeshin profesionalisht, për ta ndihmuar Kosovën të ndërtojë një sistem të drejtë gjyqësor i gatshëm të sjellë drejtësi dhe pajtim për vendin”, thotë Bideni në videon rreth 5-minutëshe, transmeton Zeri.info.

CNN-i përmend më tej se Presidenti Biden ka ritheksuar partneritetin e SHBA_së me Kosovën dhe ka thënë se “duhet bërë më shumë punë në vend për të luftuar korrupsionin, për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar raporte pozitive me vendet fqinje dhe të forcojë zhvillimin ekonomik”.

Presidenti tha, sipas CNN-it, se ishte i lumtur që SHBA-ja ishte në gjendje të ndante vaksina Covid-19 me Kosovën. këto doza, tha ai, do të arrijnë “brenda javësh”.

Ngjarja e së dielës, shkruan CNN, do të mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku mblidhet legjislatura e Kosovës, ka thënë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett, do ta pranojë medaljen, sipas zyrtarit. Një muzikant lokal, Shpat Deda, do të performojë ‘covera’ të një prej bendeve më të preferuara të Beaut, “Coldplay”. /Zëri