Abidxhiku për “Open Balkan”: Njohja mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet para bashkëpunimit pa kufij

Abidxhiku për “Open Balkan”: Njohja mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet para bashkëpunimit pa kufij

Aktuale July 30, 2021 - 12:09

Nisma “Mini-Shengen” mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ka marrë dje emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i Hapur).

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka treguar qëndrimet e tij dhe të partisë që ai përfaqëson rreth kësaj nisme, duke thënë se njohja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë para bashkëpunimit pa kufij.

“Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike - secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’. Njohja para bashkëpunimit pa kufij! Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së”, ka thënë Abidxhiku.

Tutje, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të flasë me Qeverinë e Shqipërisë, sepse sipas tij për herë të parë në 30 vjetet e fundit rrugët mes Kosovës dhe Shqipërisë janë ndarë përballë Serbisë.

“‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri. Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona - kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga kryeministri ynë - ka bërë që për herë të parë në historinë 30 e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim”, ka thënë Abdixhiku, bëhet e ditur në njoftimin për media.

“Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë - shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”, ka thënë Abdixhiku. /Zëri