Osmani bisedon me homologun izraelit, pajtohen për thellim të raporteve bilaterale

Osmani bisedon me homologun izraelit, pajtohen për thellim të raporteve bilaterale

Aktuale July 29, 2021 - 18:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në shumë fusha.

Përmes një njoftimi për media nga zyra e presidentit thuhet se Osmani e ka uruar presidentin Herzog për pranimin e detyrës dhe shprehu gatishmërinë e Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin me Izraelin në fushën e politikës, tregtisë, arsimit, energjetikës dhe mbrojtjes.

Nga ana tjetër, presidenti Herzog shprehu falënderimin për krijimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve dhe ofroi mbështetjen e tij për thellimin e raporteve bilaterale.

“Më tej, në këtë bisedë telefonike, Presidentja Osmani potencoi se raporti i Kosovës me Izraelin është i hershëm dhe daton nga periudha e Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët në Kosovë mbrojtën hebrenjtë, ndërsa presidenti Herzog nënvizoi mbështetjen e shtetit të Izraelit për refugjatët shqiptarë nga lufta në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Osmani dhe Herzogu u pajtuan për komunikim të mëtejmë dhe në realizimin e vizitave përkatëse në Kosovë dhe Izrael. /Zëri