“Mini-Shengeni” pagëzohet “Open Balkan”, liderët kërkojnë zgjerimin me shtete të tjera

“Mini-Shengeni” pagëzohet “Open Balkan”, liderët kërkojnë zgjerimin me shtete të tjera

Aktuale July 29, 2021 - 13:53

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë ftuar edhe vendet e tjera në rajon që t'i bashkohen nismës së “Mini-Shengenit”, e cila në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, që u mbajt në Shkup, ka marrë emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i hapur).

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “Mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit evropian dhe jo nismave që, sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.

Kryeministri Rama në fjalimin e tij tha se “kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t'i dhënë hegjemoninë Serbisë se ajo është më e madhe, se do të na marrë gjithë çfarë kemi, së pari jeton në një botë paralele, së dyti jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve, dhe së treti harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe".

Sipas Ramës, “nëse BE-ja është një Jugosllavi e madhe, atëherë kjo nismë do të ishte një Jugosllavi e vogël...”.

“Ne jemi këtu për të ardhmen. Çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje të së shkuarës si zgjidhje drejt të së ardhmes. Të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi", ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama.

"Unë nuk e kuptoj Malin e Zi për çka mendohet. Mendohet se si të zgjidhë problemin me krahun e punës, duke qëndruar i mbyllur ndaj kësaj nisme, që është një problem serioz për të gjitha vendet, por që në Mal të Zi është bërë një problem shumë i madh. Po Bosnja për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjnë maksimumin në këtë proces për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, ka shtuar Rama. /REL