Oda e Mjekëve reagon ndaj deputetes Reshitaj, e cila tha se është fat që aksidenti i Kroacisë nuk ndodhi në Kosovë

Oda e Mjekëve reagon ndaj deputetes Reshitaj, e cila tha se është fat që aksidenti i Kroacisë nuk ndodhi në Kosovë

Aktuale July 28, 2021 - 11:53

Oda e Mjekëve e Kosovës ka reaguar ndaj deputetes së AAK-së Albena Reshitajt, pasi kjo e fundit në një emision televiziv ka thënë se ka qenë fat në fatkeqësi që tragjedia ka ndodhur në Kroaci e jo në Kosovë, pasi do të kishte dyfish viktima.

Nga Oda e Mjekëve kanë thënë se është për t’u çuditur se si Reshitaj ka gjetur inspirimin që të gjejë fatmirësi në një fatkeqësi në kurriz të profesionistëve shëndetësorë.

“Deklarimet e deputetes, znj. Albena Reshitaj, të bëra më datën 27 korrik 2021, në Komisionin Parlamentar për Infrastrukturë dhe të transmetuara në mediat, e cila lidhur me aksidentin e ndodhur në Kroaci në të cilin kanë pësuar mërgimtarët tonë, thotë se ka qenë fat në fatkeqësi që tragjedia ka ndodhur në Kroaci e jo në Kosovë, pasi që sipas saj, do të kishte dyfish viktima. Është për t’u çuditur se si deputetja Reshitaj ka gjetur inspirim që të gjejë fatmirësi në një fatkeqësi të tillë në kurriz të profesionistëve shëndetësorë dhe sistemit shëndetësor, sado i brishtë të jetë ai”, është thënë në reagimin e kësaj Ode.

Po ashtu nga kjo Odë nuk kanë lënë pa përmendur tërmetin e Gjilanit, eksplodimin në Ferizaj, helmimet në Deçan, pandeminë COVID-19 e raste të tjera, në të cilat sipas tyre është treguar profesionalizmi i profesionistëve shëndetësorë.

“Respektin më të madh për kolegët tonë kroatë, por dëshirojmë të përkujtojmë deputetët se janë po këta mjekë e profesionistë të tjerë shëndetësorë që janë ballafaquar në mënyrë të shkëlqyeshme me pasojat e ngjarjeve të marsit 2004, të helmimit të mbi 40 ushtarëve të UCCPMB, tërmeti i Gjilanit, eksplodimi në Ferizaj, së fundmi me pandeminë COVID-19 në kushte minimale të punës, ballafaqimin me rastin e helmimit masiv në Komunën e Deçanit dhe shumë raste të tjera në të kaluarën, në të cilat jo vetëm se është treguar profesionalizmi i profesionistëve shëndetësorë, por mbi të gjitha vullneti dhe forca humane e mbivërtetuar deri më tani. Në gjitha këto ngjarje në pararojë qëndronte shërbimi ynë emergjent”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkaq, nga Oda e Mjekëve kanë dënuar ashpër denigrimin pandemik të profesionistëve shëndetësorë që bëhen në publik që sipas tyre bëhen në mënyrë të vazhdueshme.

“Oda e Mjekëve e Kosovës dënon ashpër denigrimin pandemik të profesionistëve shëndetësorë që bëhet në publik në mënyrë të vazhdueshme, sidomos kur këto sulme verbale janë të drejtuara nga persona që janë të mëveshur me funksione publike. Është e paarsyeshme dhe e patolerueshme që stigmatizimi në barrë të profesionistëve shëndetësorë të bëhet mjet për të përmbushur zbrazësitë e tematikave reale lidhur me problemet në shoqërinë tonë”, është bërë e ditur në njoftimin e Odës së Mjekëve të Kosovës. /Zëri

Image