Prishtina bëhet me mbushës elektrikë për vetura

Prishtina bëhet me mbushës elektrikë për vetura

Aktuale July 23, 2021 - 15:09

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me njërin nga aksionarët e bankës “ProCredit”, dr. Klaus-Peter Zeitinger, kanë marrë sot pjesë në inaugurimin e stacionit të parë për mbushje elektrike për makinat elektrike në kryeqytet.

Ahmeti gjatë inaugurimit potencoi faktin se ky projekt vjen pas punës njëvjeçare të Prishtinës, që hyn në grupin e qyteteve të BERZH-it.

“Do të bëhet rregullimi i energjisë efiçiente (të ripërtëritshme) në 47 ndërtesa dhe deri në fund të vitit do të nënshkruajmë kontratën për 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrikë. E kemi nënshkruar dhe jemi para aprovimit të projektit për ngrohje qendrore, projektit të dytë më të madh në Evropën Qendrore për ngrohje me panele solare, që do të ndërtohet në afërsi të Prishtinës dhe është projekt me afro 5 milionë euro dhe që do të jetë projekt me KFW, Qeverinë Gjermane dhe BERZH, me të cilin do të mbulohen të gjitha lagjet që kanë banim individual. Të gjitha këto dhe disa projekte për mbylljen e disa rrugëve dhe krijimit të sa më shumë rrugëve për biçikleta na bënë ne që të jemi në agjendën e shumicës së qyteteve evropiane, e që është pra agjenda e gjelbër”, tha Ahmeti, duke bërë të ditur po ashtu se parkingu dhe mbushja elektrike në “Prishtina Parking” do të jetë fillimisht pa pagesë për të gjitha ata që kanë makina të plota elektrike.

Në anën tjetër, pronari i bankës “ProCredit”, dr. Klaus-Peter Zeitinger, bëri të ditur se ky projekt me Prishtinën është vetëm një ndër projektet e shumta në vazhdën e përpjekjeve të bankës “ProCredit” si institucion që sipas tij gjithnjë mundohet të gjejë forma të ndryshme që të investojë dhe të japë kontributin e saj, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të jetesës për komunitetin.

“Instalimi i tre mbushësve elektrikë sot përbën vetëm një pjesë simbolike që banka ‘ProCredit’ ka dhënë dhe vazhdon të japë për komunitetin në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet tjera ku operon. Jemi të dedikuar që një pjesë të fitimeve tona si institucion ta kthejmë prapa te komuniteti. Investimet e gjelbra vazhdojnë të mbeten me rëndësi të madhe për ne duke pas parasysh ndikimin që ato kanë në ruajtjen e ambientit, por pa lënë anash edhe mbështetjen në fushat si arkeologjia dhe të tjera. Kur flasim për mbushësit elektrik, mund të themi se çmimi i tyre tanimë ka rënë dukshëm. Secili mund të ketë një të tillë dhe unë personalisht veturën time elektrike e mbushë brenda dy ore duke mos pasur nevojë farë të përdorë më karburante. Mund të shtrohet pyetja se nga është burimi i kësaj energjie? E dimë se në këtë rast, për fat të keq, si burim kemi qymyrin i cili nuk është aspak burimi i pastër i energjisë. Kjo sigurisht që do të ndryshojë, vetëm duhet dhënë Qeverisë së vendit tuaj pak kohë. Gjithsesi, secili duhet të fillojë nga diku dhe këto janë hapat e parë drejt ndryshimit. Më vjen mirë që shoh lëvizjen pozitive nga ana e Komunës në këtë drejtim dhe banka ‘ProCredit’ gjithnjë do të jetë shoqëruese dhe përkrahëse në ide të tilla. Shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjitha komunat të mendojnë për projekte të tilla dhe po ashtu i bëj thirrje qytetarët që të investojnë në vetura elektrike”, është shprehur ai.

Së shpejti pritet të inaugurohen edhe gjashtë stacione të reja me mbushës elektrike dhe në total do të jenë 10 të tillë deri në fund të mandatit qeverisës.

Në njoftimin për media theksohet se ky projekt është realizuar me financim të “ProCredit Bank Kosova”. /Zëri