Vulini nga Spanja akuzon NATO-n për bombardimin e Serbisë më 1999
Foto: Ministria e Brendshme e Spanjës

Vulini nga Spanja akuzon NATO-n për bombardimin e Serbisë më 1999

Aktuale July 23, 2021 - 14:26

Ministrat e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Spanjës, Aleksandar Vulin dhe Fernando Grande-Marlaska Gomes, janë takuar të enjten në Madrid për avancimin e bashkëpunimit, veçanërisht në trajnime, shkëmbimin e informacionit dhe shtypjen e krimit kibernetik.

Me këtë rast Vulini u foli gazetarëve edhe për Kosovën.

Ministri serb tha se të dyja vendet “e dimë të keqen e separatizmit”, duke iu referuar lëvizjes për pavarësi të Katalonjës.

Vulini falënderoi Spanjën për “qëndrimin e saj të fortë” ndaj “shtetit të rremë të Kosovës”.

“Zëri i Spanjës është shumë i rëndësishëm për ne”, theksoi ministri serb, raporton Zeri.info.

“Spanja dhe Serbia janë dy vende larg njëra-tjetrës në shumë aspekte, por në një fushë ne pajtohemi dhe jemi të njëjtë, e dimë të keqen e separatizmit dhe e dimë se vetëm respektimi i ligjit ndërkombëtar mund të garantojë paqe të qëndrueshme”, është shprehur ministri serb i Brendshëm.

Ai u ndal te bombardimi i NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999, për të ndaluar spastrimin etnik të Kosovës.

“Më 1999, pa vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, NATO-ja kreu agresion ndaj vendit tim. Kjo u bë për të arsyetuar shkëputjen e një pjese të vendit tim. Askush nuk pyeti për referendum. Thjesht u bombarduam. Unë besoj që e vetmja mënyrë për të garantuar paqen është respektimi i ligjit ndërkombëtar, i cili definon qartë se si krijohen dhe si përfundojnë së ekzistuari shtetet. Fatkeqësisht, kur është në pyetje vendi im, nuk respektohet ligji ndërkombëtar. Patëm një dhunë në fund të shekullit XX. Pavarësisht se sa më të fuqishëm se ne janë, ata që mendojnë se do të tërhiqemi e të mos respektojmë ligjin ndërkombëtar dhe integritetin e Republikës së Serbisë, ju themi se ne do të mbahemi për ligjin ndërkombëtar, për të drejtën tonë, të qëndrojmë në kufijtë që janë kufij të Republikës së Serbisë”, theksoi në konferencën për media Vulini. /Zëri