39 persona u ekstraduan nga vendet e tjera në Kosovë që nga viti 2020

39 persona u ekstraduan nga vendet e tjera në Kosovë që nga viti 2020

Aktuale July 23, 2021 - 13:23

Gjatë vitit 2020 e deri në qershor të vitit 2021 janë ekstraduar 39 persona nga shtetet e huaja për në Republikën e Kosovës, me qëllim të zhvillimit të procedura penale, ose me qëllim që ndaj tyre të ekzekutohet dënimi i shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Drejtësisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, gjatë vitit 2020 është realizuar ekstradimi i gjithsej 41 personave.

Prej tyre 23 persona janë ekstraduar nga vendet e tjera për në Republikën e Kosovës me kërkesë te autoriteteve vendore, kurse 18 persona janë ekstraduar nga Republika e Kosovës për në shtetet kërkuese.

Ndërsa, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 është realizuar ekstradimi i gjithsej 26 personave. Prej tyre 16 persona janë ekstraduar nga vendet e tjera për në Republikën e Kosovës me kërkesë te autoriteteve vendore, kurse 10 persona janë ekstraduar nga Republika e Kosovës për në shtetet kërkuese.

Ekstradimi duke u bazuar në rregullat ndërkombëtare realizohet kur një person kryen një vepër penale në një shtet të caktuar dhe gjatë procedurës penale ose pas caktimit të dënimit largohet në një shtet tjetër, me qëllim shmangien e dënimit.