Kurti: Qëndrimet tona për Ujmanin nuk kanë ndryshuar as pas raportit të SHBA-së
Foto: ZKM

Kurti: Qëndrimet tona për Ujmanin nuk kanë ndryshuar as pas raportit të SHBA-së

Aktuale June 30, 2021 - 17:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se qëndrimet e tij për liqenin e Ujmanit nuk kanë ndryshuar as pas raportit nga SHBA-ja, i cili erdhi si pjesë së marrëveshjes së Washingtonit.

Kurti ka thënë se mirëpresin studime e analiza, por sa i përket Ujamnit, ai thotë se atë e ka ndërtuar Kosova dhe e ka paguar para disa dekadave.

“Qëndrimet tona sa i përket liqenit të Ujmanit janë të njëjtat dhe natyrisht që mund të prodhohen analiza e studime, por detyra jonë thotë që duhet ta konsiderojmë liqenin ashtu siç është, liqe artificial të Kosovës nga Kosova. Ne atë tashmë e kemi paguar atë, kjo është kryer shumë dekada më parë”, ka deklaruar Kurti në konferencë për media, raporton Zeri.info.

Po ashtu kreu i Qeverisë tha se pika më e vlefshme e marrëveshjes së Washingtonit ka qenë njohja nga Izraeli.

“Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit, pika e saj më e vlefshme është ajo e fundit që tashmë është realizuar, por nuk mund të flasim sikur s’ka ndodhur 14 shkurti. Ka njerëz që jetojnë në të kaluarën por nuk besoj që ata i përkasin të ardhmes”, deklaroi ai kur u pyet nëse do të zbatojë këtë marrëveshje. 

Kurti, i pyetur rreth Asociacionit, ka thënë se kur presidenti i Serbisë deklaron se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, duhet pyetur ata që kanë bërë koncesione deri më tani në emër të njohjes.

“Kur presidenti i Serbisë deklaron se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, a nuk duhet pyetur ata që kanë bërë koncesione deri më tani në emër të njohjes?. Unë kam qëndrim parimor, të drejtë për Republikën. Pra, sinqerisht na lejoni të merremi me drejtësi dhe punësim, menaxhim të pandemisë. E këto pyetje për dialogun janë shumë të mira për paraardhësit e mi. Pse e pranuan asociacionin, tabelat etj?, ata duhet t’i pyesni. Mua është mirë të më pyesni për Këshillin Nacional, për propozimet që i bëra. Unë jam shumë i interesuar të flas për propozimet e mija, për koncesionet e tyre le të flasin ata”, ka thënë Kurti. /Zëri