Për një ditë gjobiten mbi 300 shoferë për përdorim të telefonit gjatë ngasjes
Foto ilustruese

Për një ditë gjobiten mbi 300 shoferë për përdorim të telefonit gjatë ngasjes

Aktuale June 25, 2021 - 11:27

Policia e Kosovës ka disa javë që ka nisur një aksion për gjobitjen e shoferëve që nuk i respektojnë rregullat në trafik, në bashkëpunim me qytetarët.

Pothuajse nuk kalon një ditë pa njoftuar Policia se ka gjobitur ndonjë shofer të papërgjegjshëm, nga raportimet e qytetarëve.

Mirëpo, një çështje që është shtruar ndaj këtij aksioni është përdorimi i telefonave celularë nga shoferët tjerë që i fotografojnë ose incizojnë shoferët teksa bëjnë shkelje në komunikacion, raporton Zeri.info.

Përdorimin e telefonit e ndalon edhe Pika 4 e Nenit 231 të Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor.

“Shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit nuk i lejohet përdorimi i telefonit të dorës – mobil, as i pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit. Këto pajisje mund të shfrytëzohen gjatë drejtimit të mjetit nëse përdorimi i tyre bëhet pa i mbajtur me dorë”, thotë Pika 4 e Nenit 231 të ligjit në fjalë.

E për këtë çështje, Policia ka njoftuar se vetëm dje me datë 24.06.2021, për përdorim të telefonit gjatë ngasjes janë ndëshkuar 302 shoferë, që është numër dukshëm më i lartë në raport me shifrat e publikuara nga PK-ja për javën e kaluar, ku thuhej se për përdorim të telefonit gjatë ngasjes (në periudhën 14-20.06.2021) janë sanksionuar 739 shoferë.

Për aksionin e policisë, kanë folur nga Zyra për Media e këtij institucioni për REL-in.

PK-ja ka bërë të ditur se me qëllim që të bëjë parandalimin, luftimin e krimit dhe për të shtuar sigurinë e përgjithshme dhe sidomos atë në komunikacionin rrugor, ajo bashkëpunon edhe me komunitetin.

“Ligji për kundërvajtje rregullon procedurën kundërvajtëse, andaj policia në rastet kur grumbullon informacione të mjaftueshme dhe prova bindëse se një kundërvajtje është kryer, sipas ligjit fillon procedurën kundërvajtëse kundër kryerësit të asaj kundërvajtjeje. Së këndejmi, sa herë që nga policia vërtetohet se ndokush ka kryer kundërvajtje, ndaj tij shqiptohet dënimi që e parasheh ligji për atë kundërvajtje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Po ashtu në këtë përgjigje thuhet se “sikurse në çdo rast tjetër, edhe në këto raste, secili kundërvajtës ndaj të cilit është shqiptuar dënimi, ka të gjitha mundësitë ligjore që ta argumentojë të kundërtën përmes mjeteve të rregullta juridike”. /Zëri