Osmani për Nekibe Kelmendin: Dha shembullin e gruas së pathyeshme

Osmani për Nekibe Kelmendin: Dha shembullin e gruas së pathyeshme

Aktuale June 19, 2021 - 12:53

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar veprimtaren Nekibe Kelmendi në 10 vjetorin e vdekjes së saj.

Osmani ka thënë për Kelmendin se nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

“Dhjetë vjet më parë kaloi në amshim znj. Nekibe Kelmendi. Ajo ishte njëra ndër intelektualet më të shquara të Kosovës dhe veprimtare e paepur për pavarësimin e vendit tonë. Si njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur. Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, ajo e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Sipas saj, Nekibe Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme.

“Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik”, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani./Zëri