Deputetja e LVV-së përdori gjuhë denigruese ndaj të zhdukurve, thotë DWP-ja

Deputetja e LVV-së përdori gjuhë denigruese ndaj të zhdukurve, thotë DWP-ja

Aktuale June 18, 2021 - 19:37

Organizata joqeveritare “Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën” (DWP) ka kërkuar nga institucionet relevante në Kosovë që të dënojnë “gjuhën denigruese” të përdorur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, gjatë një debati televiziv.

Sipas kësaj OJQ-je, deputetja e LVV-së, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova më datë 15 qershor 2021, ka deklaruar se “çështja e të pagjeturve shqiptarë është më prioritare sesa çështja e të pagjeturve serbë”.

“Çështja e të pagjeturve të popullit shqiptar duhet me u trajtu me seriozitet edhe me prioritet të lartë dhe pastaj kur t’i vie radha të flasim edhe për të pagjeturit serbë. Mirëpo këtu nuk ka barazim të çështjes sepse kanë qenë serbët ata që kanë kryer krime ndaj popullit shqiptar, kemi qenë ne pjesë e gjenocidit që është ushtru ndaj neve”, citon DWP të ketë thënë deputetja Kryeziu.

Kjo OJQ thotë se e njëjta ka thënë po ashtu se “Kështu që nuk mundemi me krahasu dëmin ndaj popullit shqiptar, më këto kërkesa për ata pak persona të humbun nga lufta e fundit”. Me këtë deklaratë, sipas DËP-së, deputetja Kryeziu-Hyseni ka “denigruar viktimat dhe të zhdukurit që vijnë nga komuniteti serb”.

“Kjo deklaratë e deputetes bie ndesh me dispozitat kushtetuese për trajtimin e barabartë të viktimave pa dallim përkatësie etnike, gjinie, gjuhe, kombësie e race. Gjithashtu, kjo deklaratë bie ndesh edhe me parimet për ballafaqimin me të kaluarën. Ngritja e diskursit se për Qeverinë duhet të jetë prioritet vetëm trajtimi i krimeve të kryera ndaj një grupi etnik është në kundërshtim, përveçse me Kushtetutën e Kosovës, edhe me parimet e drejtësisë tranzicionale”, thekson kjo OJQ në reagim.

Një qasje e tillë, sipas DWP-së, e dëmton dukshëm procesin e pajtimit.

Më tej, “Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Prokuroria e Shtetit, institucionet e drejtësisë dhe mbarë shoqëria që të kenë qasje të barabartë në trajtimin e viktimave të luftës, sepse, sipas tyre, “vetëm kështu do të mund të arrijmë të krijojmë një shoqëri paqësore dhe të barabartë”.

Ndërkaq, deputetja në fjalë, e kontaktuar nga “Prishtinainsight”, ka thënë se u qëndron prapa fjalëve që i ka thënë në emision, duke potencuar se “lufta është nisur nga Serbia dhe ne jemi kombi që jemi sulmuar nga kriminelët serbë”.

Nga qeveria, në anën tjetër, kanë thënë se nuk i ndajnë personat e zhdukur mbi baza etnike, por bazuar në informacionet që i sigurojnë mbi vendndodhjen e tyre.

“Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën” ua ka rikujtuar deputetëve e politikanëve, përgjegjësinë ligjore dhe morale që kanë për t’iu shmangur deklaratave përgjithësuese gjatë paraqitjeve të tyre publike, duke u bazuar gjithmonë në prova të argumentuara gjyqësore dhe hetimore. /Zëri