Tahiri: Asociacioni s’ka kompetenca ekzekutive, Kurti e bëri kauzë për të fituar zgjedhjet

Tahiri: Asociacioni s’ka kompetenca ekzekutive, Kurti e bëri kauzë për të fituar zgjedhjet

Aktuale June 18, 2021 - 19:29

Një pikë kyçe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ish-kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri thotë për Balkan Talks në Euronews Albania, se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk parashikon kompetenca ekzekutive.

Sipas saj, duke parë ndjeshmërinë e qytetarëve, kjo çështje u përdor për kapital politik nga Kurti.

“Unë kam letrën e znj. Mogherini, që garanton se BE e lexon “Marrëveshjen e Asociacionit” si një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Kryeministri Kurti e ka kthyer Asociacion në kauzë dhe mbi atë kauzë ka fituar zgjedhjet në Kosovë”, tha Tahiri.

Ajo vazhdon më tej duke thënë se marrëveshja për Asociacion nuk është në kundërshtimi me Kushtetutën e Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, po të ishte Gjykata Kushtetuese do e anulonte marrëveshjen. Formulimi nuk është në mospërputhje, por nuk është plotësisht në përputhje, shumë është e pak nuk është,” u shpreh ish-kryenegociatorja.

Ajo theksoi se Kurti gjendet në një situatë të vështirë, pasi nëse zbaton Asociacionin tradhton njerëzit që e kanë zgjedhur.

“Tani ai ka problem që të zbatojë Asociacionin edhe pse e di që është në pajtim me Kushtetutën dhe pa kompetenca. Unë mendoj së i takon qeverisë të tanishme bashkë me Kurtin, që ndërmjet “tradhtisë” me fituesit dhe “tradhtisë” së obligimeve ndërkombëtare të gjejë kompromisin, nëse do mund ta bëjë”, shprehet Tahiri.

Ajo thotë se Kurti nuk duhet të pranojë bisedimet në Bruksel për Asociacionin sepse rikthimi në Bruksel është shkelje e marrëveshjes, pasi aty thotë që Statuti bëhet në Kosovë.

“Tani ka disa tendenca nga Serbia që edhe BE e ka pranuar që të hapet marrëveshja e Asociacionit. Ka ardhur një dokument i BE-së në Kosovë, ku kërkojnë indirekt kompetenca ekzekutive. Për mendimin tim, Kurti nuk lejon të guxojë bisedim mbi Asosacionin në Bruksel, por duhet të thotë e zbatojmë në Kosovë me një bashkëpunim mes qeverisë dhe komunitetit serb”, përfundon Tahiri.