Mentor Shala i kërkon falje deputetes Doarsa Kica-Xhelili

Mentor Shala i kërkon falje deputetes Doarsa Kica-Xhelili

Aktuale June 18, 2021 - 18:02

Dita e sotme u përshkua me një fushatë kundër zv/drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala, si pasojë e një statusi në Facebook nga ky i fundit.

Shala përdori një gjuhë që për shumë konsiderohet seksiste dhe e papranueshme ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, duke e quajtur atë “bukuroshe”. Madje e ftoi të njëjtën edhe për drekë a darkë.

Kjo deklaratë e tij erdhi pasi deputetja e LVV-së, Kica-Xhelili, mbrëmë në një paraqitje televizive, tha se televizioni publik i Kosovës ndërpreu transmetimin direkt nga Komisioni Parlamentar për Media, në momentin që aty u nis të flitej pikërisht për Shalën, raporton Zeri.info.

E për reagimin e Shalës pati shumë kritika gjatë ditës së sotme.

Mirëpo, zv/drejtori i RTK-së vetëm pak kohë përpara zgjodhi që sërish përmes Facebook-ut t’u drejtohet të gjithë atyre që e kritikuan, duke u shprehur i habitur se si fjala “bukuroshe” mund të konsiderohet ofendim.

Ai i kërkoi falje deputetes Doarsa Kica-Xhelili, ndonëse shprehur çudinë e tij që e njëjta nuk reagoi fare.

“Nëse i thu dikujt bukuroshe dhe e fton për drekë ose darkë është ofendim dhe gjuhë e papranueshme, atëherë më vjen keq ku paskemi mbrri si shoqni! Nëse Doarsa është ofendu për këtë ftesë dhe kompliment i kërkoj falje, por nuk e pash asnjë reagim të saj”, u shpreh Shala në këtë postim.

E në fund, ai pati një porosi drejtuar dikujt. “E juve bandave FAKE të fcb ju dëshiroj fat e lumturi...”. /Zëri