Kusari-Lila thotë se Shala duhet t’i kërkojë falje Kica-Xhelilit e edhe gruas së vet

Kusari-Lila thotë se Shala duhet t’i kërkojë falje Kica-Xhelilit e edhe gruas së vet

Aktuale June 18, 2021 - 17:52

Zëvendësdrejtori Gjeneral i RTK-së, Mentor Shala, gjatë ditës postoi një status në Facebook, ku e quajti deputeten e LVV-së, Doarsa Kica-Xhelili, “bukuroshe”, si dhe të njëjtën e ftoi për drekë apo darkë.

Këtë postim, ai e bëri pasi deputetja një ditë më parë e kishte përmendur emrin e tij në një intervistë televizive, duke thënë se transmetuesi publik i Kosovës e kishte ndërprerë transmetimin direkt nga Komisioni Parlamentar për Media në momentin që aty është përmendur emri i Shalës.

Për gjuhën e përdorur nga Shala reaguan shumë gjatë ditës së sotme.

Reagim pati edhe nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se Shala, jo vetëm që duhet të tërhiqet dhe të kërkojë falje për deklaratën ndaj Kica-Xhelilit, por të kërkojë falje ndaj të gjitha vajzave e grave që punojnë në RTK, në mesin e të cilave është edhe bashkëshortja e tij.

“Si shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së, si grua dhe vendimmarrëse, e konsideroj jo vetëm të ulët dhe totalisht të papranueshme këtë gjuhë, por edhe me pasoja për mënyrën se si vazhdojnë të trajtohen gratë në jetën publike me përgjegjësi në vendimmarrjen politike. Z. Shala jo vetëm që duhet të tërhiqet dhe kërkojë falje për këtë deklaratë ndaj znj. Xhelili, por ai duhet të ju kërkojë falje të gjitha grave dhe vajzave të cilat punojnë sot në RTK të cilat ky i ofendoi me postimin e tij, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, e cila është njëherësh është edhe kolegia e tij në RTK”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Deputetja e LVV-së thotë se asnjë ofendim nuk mund të ndalë reformën në vend, dhe sipas saj, ata të cilët refuzojnë ta kuptojnë këtë do të do të mbesin të dëshpëruar dhe turpëruar për veten e vet.

“Asnjë ofendim dhe gjuhë fyese nuk mund të ndalë reformën në vend. Asnjë linçim dhe intimidim, nuk e zmbraps vullnetin për të vazhduar proceset përparuese, në të kundërtën, në këto situata, ne vetëm e kuptojmë se sa e domosdoshme dhe sa e vonuar është reforma për vendin. Ata të cilët refuzojnë ta kuptojnë këtë, do të mbesin të dëshpëruar dhe turpëruar për veten e vet”, tha shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. /Zëri